Fund vëllavrasjes dhe kriminalizimit të politikës

Shpërndaje në

Fushata zgjedhore nuk duhet të jetë kronikë e zezë. Ngjarja e ndodhur në Elbasan, dhe para saj ajo në Kavajë, janë të dënueshme dhe të gjithë po distancohen prej tyre, mirëpo ato nuk kanë ndodhur të shkëputura prej frymës së përgjithshme të politikës së vjetër që tash e tridhjetë vite mbjell dhunë e hasmëri te shqiptarët.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon çdo përpjekje për tension të mëtejshëm, sidomos para e gjatë zgjedhjeve, sepse zgjedhjet demokratike dhe vota nuk mund të burojnë nga dhuna.

Ka disa premisa që e shkaktojnë dhunën:

– Masivizimi i blerjes së votës.

– Futja në qarkullim e parave të kriminalitetit që shpëlahen në Shqipëri.

– Rritja e presionit ndaj votuesve përmes skemave si ajo e patronazhistëve që synojnë cenimin e lirisë së votimit dhe fshehtësisë së votës.

– Partneriteti i ngushtë mes bizneseve monopoliste dhe partive në pushtet.

– Situata ende e paqartë me institucionet dhe sistemin e drejtësisë, për shkak të reformës së papërfunduar e cila është tronditur qysh në themele.

– Lidhja e krimit dhe e bandave me politikën, dhe futja e tyre në punë gjatë fushatave, siç është dëshmuar nga raporte ndërkombëtare dhe nga përgjime të publikuara.

– Gjuha e ashpër, përjashtuese e konflikt-ndjellëse, e cila është përdorur nga të gjitha palët por veçanërisht nga ana e pushtetit.

Ne jemi të bindur se krimi në Shqipëri nuk është i fortë dhe mbi shtetin, por ai vazhdon të ndodhë i toleruar e i nxitur, pikërisht sepse i shërben partive që kanë kapur shtetin me radhë, për tridhjetë vite. Një politikë e re, një politikë krejt tjetër, do të jetë ajo e cila kemi filluar të bëjmë në Shqipëri, bashkë me Lëvizjen VETËVENDOSJE! Një politikë për interesin e përbashkët, për demokracinë dhe respektimin e lirive e të të drejtave, një politikë e cila nuk përzihet në çështjet e biznesit të rregulltë, e sigurisht edhe që nuk bashkëvepron e nuk i lëshon terren kriminalitetit.

Në 25 prill qytetarët e Tiranës, Lezhës dhe Gjirokastrës i ftojmë të dalin e të votojnë numrin 13, pikërisht për t’ i dhënë fund vëllavrasjes dhe kriminalizimit të politikës.

Tiranë, 21 prill 2021

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri

+ posts