Besëlidhje për Bashkim

Shpërndaje në

Sot, në 2 Mars, me rastin e 577 vjetorit të Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës, Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri, organizoi aktivitete përkujtuese të ngjarjes. Mikpritës i veprimtarisë ishte kandidati nga zgjedhësit për Qarkun e Lezhës, z. Iliaz Shehu. Ai priti në qytetin e tij Kryeministrin në ardhje të Kosovës, z. Albin Kurti, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Ziadin Sela, deputetin e shquar nga Bujanovci, z. Shaip Kamberi, si dhe Kryetarin e Komunës së Tuzit, z. Nik Gjeloshaj. Kjo ditë do të shënohet në Lezhë prej pjesëmarrjes së këtyre personaliteteve të lartë të ndërgjegjes kombëtare.

Ardhja e tyre sot në Shqipëri, në qytetin e Lezhës në ditën e Besëlidhjes së Shqiptarëve, përkon me simbolikën e kësaj dite por nuk kufizohet vetëm aty. Simbolika e kësaj dite shoqërohet edhe me zotimin se përparimi i shqiptarëve duhet të jetë i gjithanshëm, i përbashkët, sa në fusha specifike aq edhe në drejtimin integral.

Albin Kurti, bashkë me të ftuarit e tjerë, u pritën në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Lezhë prej kandidatit Iliaz Shehu, dhe së bashku iu drejtuan në një ecje përgjatë bulevardit shoqëruar prej aktivistëve dhe qytetarëve entuziastë, obeliskut ku vendosën kurora dhe u përkulën në nder të Kuvendit të Lezhës. Më pas, homazhet u zhvendosën në varrin monumental të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Në përfundim, të ftuarit mbajtën fjalën e rastit përpara të pranishmëve dhe mediave.

Të gjithë folësit qenë të mendimit se politika jonë nuk mund të ketë asnjë vizion po qe se nuk mbështetet në tërësinë e shqiptarëve të rajonit dhe po harroi ngjarjet e mëdha të bërjes së kombit dhe shtetit.Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, në fjalën e tij tha se më 2 mars, teksa shënojmë përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, të besëlidhjes që është akt politik, publik e kolektiv i besatimit, i lidhjes së dëshirës së përbashkët me veprimin e secilit, ne duhet të mendojmë e të veprojmë duke menduar se si do të mendonin e vepronin nga Skënderbeu te rilindasit tanë dhe deri tek luftëtarët e dëshmorët në veçanti, të luftës së fundit në Kosovë. Pra, duhet të ndjekim pishtarin që është bartur përgjatë historisë nga brezi në brez, ashtu që populli shqiptar kudo që është të faktorizohet, t’i nxjerrë përfaqësuesit e tij më të mirë e më të devotshëm, dhe, në këtë mënyrë, krizën e shumëfishtë që e ka pllakosur ta zëvendësojë me çlirim, me bashkim, me zhvillim e me përparim të gjithanshëm. “Sot, këtu te flamuri kombëtar shqiptar dhe te Besëlidhja e Lezhës, i përulemi me nderim të përjetshëm dhe zotohemi për angazhim njashtu të përjetshëm, heroit tonë kombëtar Skënderbeut dhe të gjithë luftëtarëve shqiptarë në të gjithat epokat e kombit tonë.” u shpreh Kurti.

Kandidati Iliaz Shehu i mbështetur nga Lëvizja VETËVENDOSJE në Shqipëri tha se përkundër ndasisë që i bën shqiptarët të pafuqishëm, projekti i Besëlidhjes së Lezhës e paraqet historinë jo si një të kaluar të mbyllur, por si një të kaluar që kërkon të përsëritet dhe të riaktualizohet në të tashmen.Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela theksoi detyrën për të ccuar deri në fund amanetin e Besëlidhjes së Lezhës. “Lidhja e Prizrenit është gjallë, ashtu siç duhet të jetë edhe ideja që transmetuan të gjithë këta burra e gra të mëdhenj shqiptarë dhe që ne do të duhet ta transmetojmë te gjeneratat e tjera të shqiptarëve.” tha ai.

Aktivistja Brixhita Deda foli për nevojën e një Besëlidhjeje Kombëtare për barazi të mirëfilltë gjinore në arsim e punësim, të drejta në paga dhe sidomos kundër dhunës me bazë gjinore.

Deputeti nga Bujanovci, Shaip Kamberi, u shpreh se Besëlidhja e Lezhës është referencë e sotme për të ardhmen. “Para më se 5 shekujsh në këtë vend menduan qëllime dhe morën vendime aktuale edhe për sot; çlirimi nga pushtuesi, unifikimi i forcave vendore, bashkëpunim me vendet progresive, si dhe demokraci përmes kuvendimit nën një prijës, si i pari midis të barabartëve.” theksoi ai, ndërsa Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj apeloi për shpeshtimin e tubimeve dhe aktiviteteve që na bashkojnë, sidomos prej shteteve amë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Lezhë, 2 mars 2021

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri

+ posts