Bordi drejtues
Enis Sulstarova është kryetar i Bordit Drejtues të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri. Njëkohësisht është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ai është arsimuar për sociologji dhe shkenca politike në Universitetin Middle East Technical University në Ankara të Turqisë dhe është pedagog me titullin “profesor i asocuar” pranë Departametit të Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës. Është autor i gjashtë librave mbi nacionalizmin dhe politikat e identitetit në periudhën moderne të historisë shqiptare dhe i dhjetra artikujve të botuar në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Angazhimi i tij në Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka nisur në vitin 2007.
Boiken Abazi lindi në Tiranë, në vitin 1982. Aktualisht punon si Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, i zgjedhur nga Bordi Drejtues i organizatës. Ai është njohur e ka bashkëpunuar me Lëvizjen prej vitit 2006, ndërsa prej vitit 2010 ka mbajtur edhe formalisht pozicione të ndryshme brenda organizatës si Koordinatori i Sekretariatit të Përgjithshëm dhe më tej edhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë/Anëtar Kryesie, pozicion nga i cili dha dorëheqjen në vitin 2019 për të drejtuar Qendrën në Shqipëri. Në vitin 2004, ai u diplomua në Universitetin “Eastern Michigan”, në Shtetet e Bashkuara, me një diplomë në Shkenca Politike (Marrëdhënie Ndërkombëtare) dhe Ekonomi (Ekonomi Zhvillimore), si dhe me një degë plotësuese në Gjuhë dhe Letërsi Franceze. Para angazhimit me Lëvizjen, ka punuar në projekte të shoqërisë civile me OJQ në Michigan dhe në qytetin e “New York”-ut, duke kombinuar artin, politikën dhe përvojat e shkëmbimit ndërkombëtar. Pas studimeve dhe përvojës së punës në ShBA, u kthye në Shqipëri duke u angazhuar në organizata të ndryshme të shoqërisë civile, si dhe duke dhënë mësim në nivel universitar në “Shkenca Politike” dhe "Shkrim Akademik". Ai ka botuar dhjetëra artikuj që përqendrohen në çështjen e nacionalizmit, (neo)kolonializmit dhe ekonomisë, si dhe ka bashkë-përkthyer në shqip librin "Teoritë Sociologjike", nga George Ritzer dhe librin “Menaxhimi i Vendndodhjeve të Trashëgimisë Kulturore Botërore”. Boiken Abazi flet rrjedhshëm edhe gjuhën angleze, italiane dhe frënge me njohuri edhe në gjuhën greke dhe spanjolle.
Elvis Hoxha ka lindur në Tiranë. Është diplomuar në degën e kimisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas për filozofi në Universitetin Paris-8 (St-Denis Francë). Ka ligjëruar estetikë dhe epistemologji në Universitetin Paris-8 dhe në Shkollën e Arkitekturës Paris-La Villette. Më pas ka ligjëruar filozofinë politike dhe estetikën në disa universitete të Tiranës: në Universitetin e Arteve, në Akademinë Marubi dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Ka qenë anëtar i Ekipit kërkimor Art et Diffusion, pranë Maison des Sciences de l’Homme, Paris-Nord. Ka shkruar një numër të madh esesh në lidhje me implikimet e politikës, artit dhe historisë me filozofinë. Ka përkthyer mbi dhjetë libra nga autorët më të njohur të filozofisë bashkëkohore, mes të tjerësh Bazin, Badiou, Ranciere, Deleuze, Bergson, etj. Ka përfunduar një studim, ende të pabotuar mbi romantizmin gjerman. Është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të. Ka qenë këshilltar politik pranë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Aktualisht është drejtor ekzekutiv i Institutit Politik të Studimeve Humane me qendër në Tiranë.
Dejona Mihal lindi në Tiranë në vitin 1980. Studimet universitare e pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Filozofi-Sociologjisë. Pas studimeve ka ligjëruar në universitet dhe ka drejtuar programe universitare. Ka marrë pjesë në projekte studimore, e përkthime të fushës. Është koordinatore e komiteteve profesionale të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Hysamedin Feraj ka lindur në vitin 1962, në Goden të Gjakovës. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike në Universitetin e Tiranës, në drejtimin filozofi, dhe është specializuar për Shkenca Politike dhe Filozofi në Universitetin e Bernit – Zvicër. Për 28 vite ka punuar si ligjërues në Universitetin e Tiranës, ka qenë bashkëthemelues i Departamentit të Shkencave Politike dhe deri në vitin 2014 përgjegjës i këtij departamenti në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Po ashtu ka qenë ligjërues i ftuar në disa universitete, ndër të tjerë në Universitetin e Prishtinës. Është angazhuar si veprimtar politik që nga fundi i viteve ’70 në Kosovë e jashtë saj. Nga fillimi i viteve ’90 e këtej ka qenë i pranishëm në fushën e veprimtarisë politike, publicistike dhe studimore në Shqipëri, Kosovë dhe vise të tjera shqiptare. Është autor i monografive “Skicë e mendimit politik shqiptar” (1998), “E pafilozofuara” (2011), “Tipe të ligjërimit” (2017), i teksteve mësimor universitare “Hyrje në shkencat politike” (2004) dhe i shumë eseve e artikujve studimorë. Është bashkuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE! prej vitit 2009. Në vitet 2010 dhe 2019 ka qenë kandidat i Lëvizjes për deputet në Kuvendin e Kosovës. Aktualisht është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.
Gearda Demiraj ka lindur në Korcë dhe ka studiuar në Tiranë pranë Universitetit Politeknik, ku është diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës. Ajo është angazhuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE! prej vitit 2011 dhe aktualisht është themeluese dhe anëtare e Bordit të Qendrës në Shqipëi si dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë. Angazhimi në profesionin e saj si arkitekte, restauratore dhe konsulente, ka përfshirë punën në organizata lokale dhe ndërkombëtare. Ajo ka punuar si konsulente për Urbanistikën dhe Planifikimin Hapësinor pranë “IFC – World Bank Group” (Bankës Botërore), ka qenë konsulente dhe ka menaxhuar projekte edhe për Organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij në Shqipëri dhe në Kosovë. Si aktiviste e Lëvizjes ajo ka qenë e përfshirë jo vetëm në organizime dhe aktivitete, por edhe duke dhënë një kontribut përmes njohurive të saj profesionale në fushatat e ndryshme publike. Ajo zotëron edhe gjuhën angleze dhe italiane.
Arbër Zaimi ka lindur në Tiranë në vitin 1982. Ai ka studiuar Shkenca Politike. Prej vitit 2005 ka kontribuar rregullisht me analiza politike e eseistikë në shtypin në Shqipëri, më pas edhe në Kosovë e Maqedoni. Përgjatë viteve 2000-2010 ai ka punuar në periudha të ndryshme në disa organizata të shoqërisë civile e media në Tiranë. Përveç politikës dhe strategjisë së komunikimit, ai ka përkthyer prej gjuhëve frënge, angleze e italiane eseistikë, filozofi e sociologji, por edhe letërsi e publicistikë. Arbër Zaimi është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe anëtar i Bordit të Qendrës në Shqipëri, ku është edhe njëri ndër themeluesit. Ai ka qenë pjesëmarrës e bashkëpunues në aktivitetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! qysh në vitin 2007, kohë kur ka koordinuar aktivitetet e Rrjetit të Organizatave Shqiptare (RrOSh ka qenë iniciativë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe e disa organizatave patriotike nga vendet ku jetojnë shqiptarët) për Shqipërinë. Prej vitit 2010 ai është angazhuar në Kosovë, me kohë të plotë për Lëvizjen, duke qenë anëtar i Kryesisë në vitet 2011-2015 si dhe 2018 e deri më sot. Po ashtu ka qenë koordinator i Komiteteve Profesionale gjatë periudhës 2011-2015, ku mbikqyri e përgatiti botimin e “Alternativës Qeverisëse”. Më pas ka mbajtur rolin e Këshilltarit Politik, me fokus në komunikimin publik, gjatë fushatave elektorale të viteve 2017 e 2019 në Kosovë.
Liburn Aliu ka lindur më 10 prill 1975 në Prishtinë. Është diplomuar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Liburn Aliu ka punuar si arkitekt në projektim dhe ndërtim të lartë, si dhe në restaurime të ndryshme të monumenteve të trashëgimisë kulturore. Angazhimi i tij politik ka nisur në vitin 1994 me aktivitetet ilegale, konkretisht brenda Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Ai ka qenë pjesëtar i njësitit gueril “Rexhep Mala” në Prishtinë. Si rezultat i veprimtarisë së tij politike, regjimi i Serbisë e arrestoi dhe dënoi me 9 vite burg. Liburn Aliu është një nga të mbijetuarit e “Masakrës së Burgut të Dubravës” që u krye në maj të vitit 1999. Ai ka vuajtur katër vite e dy muaj burg, dhe është liruar më 27 mars të vitit 2001. Ai është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që nga themelimi i saj. Angazhimi i tij që në vitet 1990 për çlirimin e vendit dhe realizimin e të drejtës për vetëvendosje, e afroi atë pa asnjë mëdyshje me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, përmes së cilës ai sheh të mundshëm realizimin e përpjekjeve për një atdhe të lirë e të bashkuar. Liburn Aliu ka qenë deputet i Lëvizjes, dhe ka udhëhequr Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, derisa u votua si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! përsëri në legjislaturën e fundit. Aktualisht ai është deputet në Kuvendin e Kosovës dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis.
Sami Kurteshi ka lindur më 5 qershor 1960 në Gjilan. Ka studiuar në fakultetin Teknik, dega e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës. Pas demonstratave të vitit 1981 është larguar nga Kosova për shkak të ndjekjes prej regjimit jugosllav. Në tetor të vitit 1983, është burgosur në Beograd bashkë me Zijah Shemsiun gjatë kthimit në Kosovë, si pasojë e veprimtarisë së politike. Pas lirimit nga burgu, në periudhën 1991 – 1996 ka vazhduar veprimtarinë si anëtar i Kryesisë e më vonë si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ në Prishtinë. Në periudhën 1992-1996 ka përfaqësuar KMDLNJ në Komisionin dhe Nën-Komisionin e të Drejtave të Njeriut dhe në Komitetin për Eliminimin e Diskriminimit Racial (CERD) pranë OKB-së në Gjenevë, dhe ka qenë autor dhe bashkëautor i rezolutave të Komisionit dhe Nënkomisionit të OKB për Kosovën. Në vitin 1998 filloi studimet në Universitetin e Bernës, të cilat i përfundoi në Universitetin e Cyrihut në politologji, sociologji dhe të drejtën ndërkombëtare. Në periudhën prej 1997-2001 ka punuar në institucione të ndryshme në Zvicër, si bashkëpunëtor i Organizatës Zvicerane për Refugjatë dhe kontribues i televizionit shtetëror zviceran SF1. Pas kthimit në Kosovë, në periudhën Qershor 2009 – Korrik 2015 është zgjedhur nga Kuvendi si Avokat i Popullit i Republikës së Kosovës. Prej fundit të vitit 2015 është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në periudhën 2017-2019 ka qenë deputet në legjislaturën e VI të Parlamentit të Republikës së Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Aktualisht është anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Republikën e Kosovës si përfaqësues i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sami Kurteshi është autor, bashkë-autor dhe botues i disa publikimeve, analizave dhe raporteve të ndryshme. Ai ka përkthyer dhe botuar dy libra në gjuhë të ndryshme (gjermanisht-shqip dhe anasjelltas). Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka tre fëmijë.