FENOMENOLOGJI TEPËR E SHKURTËR E SEKRETIMIT TË PUSHTETIT

Shpërndaje në

Kosova rrezikoi të degdiset nga gjendja e pezullt e sovranitetit në atë të gjendjes së jashtëzakonshme presidenciale. Më pas, vetëm pak ditë më pas, ajo rrezikoi ndëshkimin e Republikës me anarki institucionale. Po nga ky ish-president i erdhi Kosovës thirrja për mosbindje civile dhe institucionale ndaj qeverisë. Shkelje të njëpasnjëshme kushtetuese, që Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk do t’i vërë re.

Shkruan: Elvis HOXHA, Tiranë. Revista Shenja

Para çdo fillimi të ri është mirë të kemi një ide të qartë mbi gjenden socio-politike që lëmë pas. Përndryshe do të jemi viktima të përsëritjes. Së dyti duhet të kemi të qartë se në ç’mënyrë politika, si çështje e qytetit, shndërrohet në mënyrë të përshpejtuar në ankth të brendshëm të rretheve që rëndom konsiderohen si elita politike. Po. Ato mund të quhen lehtësisht elita përsaqë një emër i tillë nuk thotë asgjë, veç arbitraritetit të pushtetit dhe rastësisë mediatike. Por, nuk janë aspak politike përsaqë këto elita kanë për kusht të suksesit të tyre zhdukjen e politikës.

Një evidentim i këtij lloji do të nisej nga pohimi: nuk kemi elita politike. Ne kemi elita të tjera, ndoshta të aktivizuara sipas cilësish të tjera, ndoshta dhe rrethanore, por kurrsesi elita politike. Ne nuk jemi klasikë, ne nuk jemi as post-modernë. Përkundrazi, ne jemi ndoshta modernistë në politikë dhe parapolitikë njëherësh. Ndoshta kemi shpikur formulën që na mban në mënyrë institucionale në gjendje parapolitike.

Për pasojë, themelimet e ligjërimit politik në shoqërinë tonë nuk e kërkojnë durimin e reflektimit, por rrudhjen afatgjatë të replikës. Popullarizimi i replikës dhe shumëfishësia e studiove televizive fragmentarizojnë çdo qendërzim politik të mendimit, duke i dhënë jetë një opinioni tmerrësisht afatshkurtër, me përfaqësues që i përgjigjen paradoksit: analizë afatshkurtër, por karrierë afatgjatë, mendim pa projekt, por rrënim i sigurtë.

Duket se ne kemi përfituar gjithçka prej teknologjive të informacionit, ama pa ndjerë as nevojën më të pakët të anëtarësimit në historinë e realizimeve. Individualisht, shoqëria jonë shkon drejt humbjes së mundësive nën figura të atrofizuara. Ndaj dhe duhet, edhe pse qartazi humbje kohe, të shkruhet ndonjë fenomenologji e shëmtisë. Rrëfimi njëfarësoji i të tillë individëve që e shfaqin më hapur nyjëtimin personal të një fenomenologjie të tillë mund t’i ndalojë të funksionojnë si shembull suksesi dhe rentabilitetit shoqëror.

Galeria e këtyre personazheve mund ta fabrikojë vetëm panoramën e mjerimit psikosocial. Por, ky rezultat nuk është i vogël. Sepse, në thelb të vetëmban një paradigmë estetike më shumë se politike, në bazë të shpresës se sqarimi i ndërlikimeve socio-politike mund të vijë prej një emancipimi estetik, qoftë ky i fundit dhe me brishtësinë e panoramës. Sepse, në thelb, kjo kërkon që mos të shihet si analizues e keqja, por shëmtia, forma që sqaron jo gjendjen e varfër, por atë mjerane të vlerësimit dhe besimit shoqëror. Shëmtia e përthan njerëzimin që mund të kemi brenda.

Le t’i marrim në shqyrtim të shkurtër figurat e elitizimit politiko-medial.

Cilët janë të interesuar ta përjashtojnë popullin?

Haptas, shkurt e qartë, janë pikërisht ata që nuk i kanë më votat e tij. Punëtorët e zellshëm të këtij përjashtimi shihen në mënyrë konstante në përdorimin në rritje të policisë dhe në shpërdorimin e pasurisë publike. Janë prodhues të palodhur të gjendjes së jashtëzakonshme në rendin politik – me polici –, të rendit ekonomik – me oligarki –, të ligjërimit – me media. Por, kryesisht, të zhveshur nga përbërësi kulturor dhe artistik – në brutalitet dhe banalitet – ata janë rrënues të rendit estetik, prej ku buron dinjiteti dhe respekti i vendit.

Regjim i vjetër është tashmë i shqueshëm dhe i akuzueshëm në Kosovë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Republikën e Shqipërisë, por as për gjendjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në Kosovë karakteristika thelbësore është rënia e mbështetjes popullore për këta korruptues të mëdhenj. Këtyre të fundit, zgjidhja që iu shkon për shtat është e qartë: zgjidhja është të mos ketë zgjedhje.

Cilat forma shkëlqejnë mes provave të degradimit të politikes? Ndoshta ajo që duhet të ishte sot më e bujshmja është ajo e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, stato di eccezione. Si u hodh në publik ideja? Ishte Isa Mustafa ai që e shkroi i pari publikisht në FB, pastaj e ripërsëriti zv.kryeministri Hoti. Kuptohet që skena rinxirrte në shesh Thaçin. Atij i kthehej fuqia. Edhe kësaj here Isa Mustafa e vuri partinë e tij qeverisëse në shërbim të presidentit të PDK-së. Duke e nxjerrë jashtë loje ekzekutivin, Isa Mustafa tregonte se ishte më i interesuar të kishte fuqi aty ku nuk kishte përfaqësim, te presidenti dhe jo te qeveria. Si kryetar partie që e nxirrte partinë e vet jashtë përfaqësimit të votës popullore, Mustafa nuk mund t’i shtonte qeverisë as autoritet dhe as përfaqësim prej votës. Si shpesh, ai preferoi peshën e sekretitimit të pushtetit ndaj publicitetit të votës.

Propozimi i gjendjes së jashtëzakonshme dëftoi se një njeriu të pavotuar i lipset aleanca e njerëzve të pavotuar. I pavotuar prej popullit për një kohë të gjatë ishte Hashim Thaçi. Pak rëndësi ka të dimë se cili e hodhi idenë e gjendjes së jashtëzakonshme. Kush ishte i treti? Natyrisht zv.kryeministri Hoti, i pakvotuari, le ta quajmë kryeministër rrethanor. Deviza e treshes ishte: qeverinë e cila është e ndërtuar mbibesimin e popullit duhet ta nxjerrim jashtë loje, sepse është ky popull ai që nuk i jep më vota as Hashimit dhe as Isës. I pavotuari i katërt ishte ministri i brendshëm.

Në funksionin e presidentit në atë kohë ishte personi më i aftë për me administru mungesën e lirisë së bashkëpunëtorëve të tij të çdo lloji. Diktaturat dhe organizimet mafioze administrojnë dy paqartësi: mungesën e lirisë dhe përzierjen e funksioneve. Një shtet i ndërtuar mbi funksionarin rastësor, punon parapolitikisht, punon pra kundër shoqërisë që ka nën administrim. E kthen gjendjen e urgjencës në shprehje të kualifikuar dhe stabël të pushtetit: stato di urgenza.

Presidenti i zgjedhur, në bazë të rrënimit formal dhe konkret të demokracisë brenda në Kuvend, jashtë Kuvendit, dhe në të njëjtën kohë përdorte policinë e shtetit në mënyrë private. Struktura e politicitetit në Kosovë mund të thuhej thjesht: rritja e sasisë së gazit lotsjellës në Kosovë shkon paralel me humbjen në votë të Republikës. Gazi është hedhur privatisht dhe masivisht nga policia në shesh, dhe parlamentarisht dhe simbolikisht nga Lëvizja Vetëvendosje! në sallën e Kuvendit të Kosovës. Kjo hedhje e dyanshme e gazit tregonte qartë se Republika ishte e garantuar vetëm nëse gazi simbolik i opozitës mund ta mbronte nga gazi policor i Presidentit. Dihet që në një gjendje të tillë të jashtëzakonshme më të ndëshkueshëm nga trupa gjyqësore janë deputetët dhe jo policia e privatizuar. Në një gjendje të jashtëzakonshme, i kërcënuar është përfaqësuesi dhe jo sekretuesi i vullnetit popullor.

Isa Mustafa, i zgjedhur kryetar i LDK-së, ishte pengu në qafën e LDK-së. Hashim Thaçi, i zgjedhur President, ishte pengu në qafën e Republikës. Mes këtyre dy pengjeve është lidhur me kohë një koalicion që rrezikon sovranitetin. Duhej një Republikë e tretë për të hequr qafe koalicionin e pengjeve. Duhet të rikthehej shprehja e unitetit të popullit, përkundër përjashtimit të tij.

Kjo dyshe, në zonën e funksionimit të vet, mbështetet nga një tufë shërbestarësh që kthehet në bandë. Nuk janë pak. Janë shumë, sepse koha e zhbërjes së mbrojtjes së Republikës ka zgjatur si shumë. Por, kjo shtohet edhe nga paqartësia themelore në lidhje me gradën e kthjelltësisë së kushtetimit: është e vështirë të kuptosh se në ç’masë, në këtë bandë, padija mbulon korruptimin financiar dhe moral.

Një tipologji tjetër që e bren Kosovën bart më thellë kundërthënien e politikes.

Në mes qëndron ai njeriu i luftës, i padyshimti. Por, aty ku mbizotëron sovraniteti banal, edhe i padyshimti bëhet objekt i një fenomenaliteti polarizues: dhe del i pashmangshmi i përjetshëm, që diku e kam quajtur shenja, por dhe figura tjetër, i kualifikuari për me qëndru pezull. Dhe, kjo pezullti e këtij të dytit, ngjan me statusin ku e kanë varur Kosovën të pavotuarit e saj. Sepse, personazhi për të cilin po flasim, është i varur në pezulltinë e vetvetes. Tri figura pra: i patretshmi që dëshmon pareshtur flijimin, dhe dy të tjerat: punëtori i pezulltisë së Kosovës, që ndihmon me paqartësinë e vet brejtësin e pavotuar të sovranitetit.

Në një shtet që i është dhënë sovranitetit mjeran, historia mund t’i përballë të tri figurat me të njëjtin gjyq. Kështu që gjejmë në të njëjtin gjyq, sepse special: Hashimin, Jakupin, po mund të gjenim fare mirë dhe dëshmorin çlirimtar. Le t’i rithemi edhe njëherë cilësimet e tyre teksa ravijëzohen përgjatë 20 viteve të Kosovës së çliruar: punëtorin kundër sovranitetit, punëtorin e pezulltisë, punëtorin e dëshmisë së lirisë. Por, meqë ky i fundit e ka mbyllur historinë aq mirë, sa nuk ka asnjë specialitet gjyqësor që të mund ta thërrasë në bankën e akuzës, mbeten dy të parët. I treti vjen disi i sublimuar në figurë politike, i vetmi politik në fakt, pasi është edhe i vetmi punëtor i sovranitetit në treshen e mësipërme. Ky është Rexhep Selimi.

Për hir të besnikërisë së vet, Rexhep Selimiri deklarohet në projektin e çlirimit, por duke u kthyer në një formë sublime në dëshmitar të dëshmorit. Deklarata e tij në dy kohë është sublimimi i kohëve mes luftës së ndritur dhe paqes së zvjerdhur. Kur projekti i sovranitetit është i qartë, “unë, thotë Rexha, jam çlirimtari”. Dhe është shumë e rëndësishme prania e Rexhës për të forcuar dëshminë mbi karakterin special dhe artificial të gjykatës, por edhe për të forcuar dobësinë afatgjatë të Jakup Krasniqit. Kështu Jakup Krasniqi i afrohet çlirimtarit dhe largohet përfundimisht nga bashkëpartiaku i tij tepër afatgjatë, Limaj. Rexhep Selimi përcakton dhe rehabiliton figurën e Jakup Krasniqit. Edhe brenda këtij gjyqi special formohen dyshe: nga njëra anë Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, nga ana tjetër Thaçi me Veselin. Po mos të ishin dy të parët, gjyqi special mund të krijonte në opinionin e përgjithshëm konfuzionin më të rrezikshëm: korruptimi i paqes do të kthehej në dyshim për luftën. Për t’i shpëtuar korruptimit të paqes, u dashka të vendosim edhe një herë në vështirësi dy njerëzit e luftës.

Megjithatë, duhet dalluar në leksik mundësia e rithemelimit të politikës. Rexhep Selimi deklaroi se nuk ka gjyq të mundshëm special kundër integralit të lirisë. Punëtori i pezulltisë mbrohet ende në pezullti, me habinë e tij se përse është në atë gjyq, kur në fakt duhet të habitej se si u bë e mundur një gjykatë e tillë. Personi i Jakup Krasniqit sot rrëfen të vërtetën e vet të hidhur, por jo hidhësinë e gjendjes së pezulltisë. Degdisja kishte nisur më herët. Afera e përgjimeve na mësoi se me ç’emër përdornin për njerëzit që merrnin prej tij shërbimin e neglizhencës. Tani është vonë jo më për votë, por për besim.

Dallimi mes tij dhe Adem Jasharit përthellohet: Adem Jashari kuptonte edhe atë që nuk e dinte – guximi integral –, Jakupi nuk kupton edhe atë që di – pasiguria në paqen e korruptuar. Në këtë padije të dytë gjen ushqimin e vet aradha e bashikobozukëve. Buxheti i shtetit e ka mundësinë të mbajë shumë të tillë. Neglizhenca është shkak i jetesës së renegatëve, ndërsa vjen si pasojë mbijetesa me thikën në fyt e republikës – deklarativisht quhet fusnotë.

Kategoria e të pavotëve ose ajo e të pabotëve

Në gjuhë fjala votë shkon mes boshit dhe botës. Por, edhe qenësisht vota e rrezikon njësinë e vet institucionale mes këtyre dy poleve. Ashtu edhe mbartësit e saj. Sa ç’janë të pavotë, aq janë të pabotë. Në këtë qerthull gjenden të gjitha moshat. Dhe, kështu lindin dyshe të tjera që ndërtojnë intervalet e dështimit të politikes.

Mes tyre ngacmon me ekzistencën e vet të pashprehur figura e pamundësuar e pjekurisë, në karakterin ose personazhin që diku e ka shkëputur fillin e kontaktit me moshën adulte. Avdullah Hoti. Pa pasur ndonjë projekt personal, madje me karakter tepër të kufizuar, ai është i binduri që nuk shquan në historikun e vet jetësor se ku dhe si ka mbetur i kapur në një borxh të pashlyeshëm deri në vdekje. Ndaj dhe koalicioni i tij është me realitetin e pranë-vdekjes. Ftesa e Isa Mustafës nuk përbën për Avdullahin një moment mbi rrafshin e dëshirores, por detyrim identik më fatalitetin. Si zv. kryeministër dhe, më vonë, kryeministër, ai konfirmon rregullin: gjysmë i votuari është shërbëtor i të pavotuarit, është i gjymtuari përballë të paqenit, mangësia në shërbim të mungesës. Paqartësi përballë paqenies. Në pozicionin e tij të paqartë, mes rinisë në gjendje metasuksesi dhe besnikërisë së zhveshur nga çdo perspektivë e mundshme politike, ai nuk ka ç’të zgjedhë. Personazhi i tij kthehet kështu në shpërbërje të nyjës subjektive, kthehet në unë pa vete, në një qenie ku i vetmi identifikim ekzistencial është metabolizmi që nuk mund të vendosë më se ç’është trup e ç’është mjedis. Është antipodi i kandrës së Kafkës, pikërisht sepse kjo e fundit sheh me sytë e vet shpërbërjen. Ndërsa te Avdullahi është shpërbërja që vështron subjektin si objekt. Një shpërbërje psikike e personalitetit. Humoral vs. moral. Një personazh i tillë, vetëm kanal metabolik, është mjaftueshëm i mirë për të kryer ndërlidhjen mes thirrjeve për gjendjen e jashtëzakonshme, mes fjalës së Mustafës dhe fjalës së Thaçit. Pra, nuk është çudi që ai është në mes të të dyve. Është thjesht një kanal.

Hoti është Uni pa vete, njeriu që ka shlyer borxhin duke falur veten. Në fillim nuk kishte votë, në fund nuk ka vete. Hoti është, ndryshe, paradigma e njerëzimit të neoliberalizuar. Për aq sa ka subjekt, mendja e tij fabrikon një gjendje paradoksale: për mos me e thy qafën, nuk e shpëtoj dot kokën. Dhe, në fund, mbetet vetëm një qafë: një metobolizëm ajror. Ky nuk është acefal. Është i pakokë dhe i patrup. Nga adoleshent shpirtërisht, ai kaloi në fatalisht qafë. Qafa është vetëm qafë. Nuk dallon dot mënga të qenit thjesht qafore. Fyti nuk bëhet dot fytyrë. Fyti nuk del prej asnjë trupi. Francis Bacon në gjendjen më të keqe.

Cili ishte tjetër i interesuar për këtë përjashtim të popullit dhe qeverisë me të njëjtën lëvizje: njeriu që po përjashtohej progresivisht prej votës, Agim Veliu. Është një lloj injoranti i përzier me depozitën e pushtetit të mbledhur për shkak të indulgjencës së natyrshme të votuesit dhe melankolisë tradicionale të aktivistit të thjeshtë të partisë së tij. Është po ai që merr me zell flamurin kundër koalicionit LV-LDK, sepse duke qenë përjetë i vonuar për dije dhe të drejtë, çdo ndryshim në gjendjen e gjërave i bën keq. Në çdo hapje premisash, ai ndjen t’i mbyllet e ardhmja. Përse duhet të ishte në qeveri? Vetëm për të përjashtuar prej qeverisë ministrinë të cilën drejton po ai vetë. Kështu që ishte ai që e mbylli ditën e tij të punës me aprovimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Sepse, dikush që është për stagnacionin e gjendjes së zakonshme të gjërave me çdo kusht, mund të shkojë deri në kërkim të gjendjes së jashtëzakonshme.

Agim Veliu ishte shprehja e degradimit të karakterit të mbarënjohur institucionalist të LDK-së: Tribunët e LDK-së nuk e dinë që brenda një qeverie kërkohet unitet më i lartë sesa brenda grupit parlamentar dhe forumeve të partisë. Ekzekutivi është aplikim i politikës qeveritare dhe jo zbatim subjektiv i mendimeve të lira. Institucionalizmi i ngritur në lartësinë e Agim Veliut mbërrin paradoksin: ministri i Brendshëm po shpreh mendimin e tij të lirë mbi GJENDJEN E JASHTËZAKONSHME.

Së pari, më e rënda për sa i përket lidhjes institucionalizëm/kushtetutshmëri, mund të thuhet fare thjesht: kalimi prej të njëjtit person, shpejt dhe krejt i papërgjegjshëm, nga gjendja e urgjencës në gjendje të jashtëzakonshme, pra nga rend policor në rend ushtarak, shoqërohet menjëherë me kalimin nga disiplinimi total, që parashihet në gjendjen e jashtëzakonshme, në thirrjen për anarki në dy forma: ish-presidenti thërret mosbindje civile, thërret funksionarët publikë mos t’u përgjigjen vendimeve të qeverisë. Kohët e fundit ne kemi parë sjelljen e Kongresit Amerikan ndaj presidentit Trump, kur ky i fundit bëri vetëm një gjysëm thirrje të tillë.

Së dyti, argumenti “i lirisë së mendimit” në qeveri duhet të përbënte problem publik. Liri mendimi gëzon deputeti, por jo ministri. Ministri, edhe pse politik, është funksionar i lartë dhe i përgjigjet një kryeministri që përkufizohet nga neni 94 i Kushtetutës me dy përbërës: “(1) përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë; (2) siguron që të gjitha Ministritë të veprojnë në pajtim me politikat qeveritare”.

Duhet të merrnim në konsideratë faktin se LDK-ja, gjatë atyre ditëve të qeverisjes së përbashkët, bëhet partia që përjashton më të votuarin e vet dhe që e deklaron hapur lidhjen me pushtetin e organizuar sipas operimit të dhunës sistemike të pushtetit, brenda partisë, brenda qeverisë, brenda grupit parlamentar. Natyrisht, që ajo nuk tejkalonte me këto ngjarje atë që e kishte bërë më parë në personin e Isa Mustafës me zgjedhjen e Thaçit president. Grupi parlamentar i LDK-së zgjodhi president atë person që më parë e kishte folur e përfolur gjithandej si armikun e vet më të egër. Kjo zgjedhje kishte qenë demonstrimi më i ashpër i mungesës së lirisë së mendimit. Ndërsa me Agim Veliun po vendosej në shërbim të Thaçit tepria e lirisë së mendimit. Për publikun e gjerë mund të bëhej e qartë me kohën se LDK-ja duke u çliruar nga dinozaurët e saj do të mund të vinte në barazi lirinë dhe mendimin.

Ndërkaq, në aktualitetin e Kosovës, liria e mendimit, e zbatuar në kufijtë e injorancës, mori një kthesë tjetër të rrezikshme. Një nen që nuk ka nevojë për asnjë interpretim të Gjykatës Kushtetuese është neni 83 i Kushtetutës së Kosovës: “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës”.

Që të mos shkelë Kushtetutën, presidenti duhet të kuptojë se as unitetin e popullit e as stabilitetin e shoqërisë, sidomos në kohën e gjendjes së emergjencës shëndetësore, nuk e realizon kurrsesi me unionin e klaneve të të padëshiruarve, por, duke bërë të mundur me sa i takon atij, shprehjen e lirë e popullit në zgjedhje. Ai që duhet të ishte president i popullit, ishte shef i klaneve. Kaq mund të thuhet për cilësinë e Republikës që vjen prej funksionit të këtij presidenti. Pra, përpara se të zbatohet liria e mendimit në hapësirat e ngushta të qeverisë, është mirë që ajo të zbatohet si liri e mendimit në zgjedhje. Por, ajo që e dëmton Republikën më shumë është koha e humbur që buron në unitetin e mbramë të partive mocioniste. Vetëm mungesa e njëhershme e imagjinatës dhe racionalitetit, e etikës dhe drejtësisë, e politikës dhe demokracisë, në këtë klan partish,i mjaftonte si garanci gjithkujt se zgjedhje legjislative ishin afër, sapo të dinim të menaxhonim vetëm një të dhënë të pallogaritshme, pandeminë.

Le të kalojmë në një dyshe tjetër, kategori tjetër, përsëri një riosh dhe një plakush. Gent Cakaj në Tiranë dhe Skënder Hyseni në Prishtinë. Dhe, nga bashkëpunime të këtij lloji një qytetar i thjeshtë deklaroi: “Kisha frikë për Kosovën, por tani që Cakaj takoi Grenellin… kam më shumë frikë”. Ky është adoleshenti që ka atë aftësinë e keqe të kombinimit të frazave të mësuara përmendësh. I emëruar në postin e gjeniut prej Baton Haxhiut, ai ka për detyrë të luaj me korrespondencë rolin e ministrit të Jashtëm… kur nuk ka kohë Rama të takojë Vuçiqin. Gjenia e kufizuar, tepër e kufizuar e adoleshencës, është i vetmi virtyt që ai mund t’i ofrojë pazareve. Nuk ka më tepër se ç’të thuash për të.

Mes të pensionuarit të politikës, Skënder Hysenit, dhe adoleshentit të politikës, Gent Cakaj, ndërtohet një bosh ku mund të zënë vend vetëm ata që nuk realizojnë në politikë veprimtari publike, por vetëm pazare ekstrapolitike. Të emëruar në postet e urtësisë dhe gjenialitetit, natyrisht në mënyrë skuthe mediatike, të dy personazhet janë vetë pervertimi individualist që zëvendëson legjitimitetin e munguar të strukturave prej nga dalin. Nuk kanë lidhje me votën dhe me ta merr formë thelbi i jashtësimit të funksioneve publike. Njëri në Prishtinë dhe tjetri në Tiranë, kanë në ngarkim, medije për të parin dhe padije për të dytin, procedurat ilegale të nismave antirepublikane.

Për t’i promovuar të dy tipat, format janë po ato të zakonshmet. Për Hysenin vlen reja e zakonshme e urtësisë e shpërndarë lehtësisht në opinionin tradicional të pasivitetit të subjektit nga vjen. Për Cakajn mjafton studio e Haxhiut që ka për mision të përhershëm mediatizimin e figurave shërbyese. Është po ky që në një moment tjetër kishte përdorur intervistimin special për të bërë të bujshëm profilin politik të Dardan Molliqajt. Roli i tyre përmblidhet pra thjesht në sekretimin e politikes. Për ta rrënuar rrethin e politikës, lipset vetëm ta nxjerrin këtë rreth jashtë planit publik të popullit votues. Mendojeni një rreth që del jashtë planit në të cilin skicohet, për shkak të dredhisë së diametrit të vet

Janë edhe dy tipologji personash që korruptojnë rendin politik-juridik dhe mediatik të Kosovës. Por, me këto dy tipologji duhet të merremi një herë tjetër.

Buzhala dhe Haxhiu, në lidhjet e dyfishta mes medias dhe regjimit, janë këta në fakt që zëvendësojnë opinionin përballë pushtetit. Në rastin e tyre, përpjekja është të zëvendësojnë sovranitetin e një populli dhe sovranitetin e përfaqësuar me një ekran që e bën joekzistues publikun e vet.

Kushtetuesja dhe KQZ-ja, e para rehabiliton krimin e së dytës. Kjo dyshe, personash dhe jo institucionesh, është reduktimi i marrëdhënies së brendshme që populli ka me vetveten në vektorin politiko-juridik – votim i përgjithshëm-kushtetutë, me marrëdhënien e brendshme të presidentit.

Për fund, le t’i kthehemi edhe një herë ish-presidentit. Sepse tashmë mund të jetë disi më e qartë se në gji të kontinentit të stabilizuar në sovranitete, ekziston një vend ku presidenti simbolik është kaq i dëmshëm dhe i urryer, sa populli është i gatshëm të dalë në mbështetje masive pro kryeministrit. Ky është fenomeni aq i rrallë në histori, saqë, tashmë ish-presidenti i këtij vendi e meriton të hyjë në librin Gynes si njeriu më i dëshpëruar: si i tillë kërkon të bëjë kryeministër një tip që ka marrë 26 mijë vota përkundër bartëses së listës që ka 7 herë më shumë; por, ish-presidenti është edhe vulëhumbur: brenda tij qenia njerëzore paraqitet e zhveshur nga qëllimet morale, e shkëputur nga çdo orientim drejt bashkësisë me njerëzorët e tjerë, thënë ndryshe ai e ka reduktuar tipin e vet nga figurë legjendare e luftës në legjendë urbane e paqes, titull që duhet pranuar se e ndan me komandantë të tjerë. Nga ana tjetër, ish-presidentit mund t’i mbyllet shqyrtimi publik edhe duke thënë se është njeriu që përmbledh mbi vete masën më të madhe të urrejtjes. I urryer, sepse ka shkatërruar aq shumë të ardhmen e brendshme dhe të jashtme të vendit të vet. I përbuzur jashtë dhe i urryer brenda, ai nuk gjen më as nga cili prag të hyjë dhe as nga cili prag të dalë.

Pikërisht ky njeri zbulon se sa më shumë të nxjerrë të brendshmen jashtë, aq më shpresë do të ketë ta bëjë më të mjegullt pragun. E tërë garancia e jetëgjatësisë së tij në pushtet varej nga furnizimi i letargjisë së figurës së trefishtë që e thamë më sipër: çlirimtar, pezullti, korruptim. Ndihmuar nga letargjia, epoka e nënshkrimit të marrëveshjeve u bë gjendja koma e Kosovës. Populli klient dhe klanor i ish-presidentit ishte njoftuar me kohë nga protestat në shesh dhe nga gazi në Kuvend: “nuk ka marrëveshje pa dialog, nuk ka dialog pa parime”. Shkëmbim territoresh, dhuratë territoresh, dhuratë njerëzish, dhuratë ulësesh në Kuvendin e Republikës për furracakë që nuk e njohin Republikën dhe, për fund, ndëshkim me gjendje të jashtëzakonshme i asaj Republike që nuk e voton më. Ky ishte epilogu.

Kosova rrezikoi të degdiset nga gjendja e pezullt e sovranitetit në atë të gjendjes së jashtëzakonshme presidenciale. Më pas, vetëm pak ditë më pas, ajo rrezikoi ndëshkimin e Republikës me anarki institucionale. Po nga ky ish-president Kosovës i erdhi thirrja për mosbindje civile dhe institucionale ndaj qeverisë. Shkelje të njëpasnjëshme kushtetuese që Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk do t’i vërë re. Por, rendi kushtetues i Kosovës është i cenuar rëndë tashmë. Megjithatë, falë faktit që klani ish-presidencial ka mbetur pa votë, Republika ka shpëtuar nga shembja e pakthyeshme.

Edhe për këtë klani i Kosovës ishte njoftuar tashmë nga populli në shesh, në aksionin më të madh publik në sheshin e Republikës: “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”.

+ posts