Kandidatët e mbështetur nga LVV dorëzojnë ankesat në KAS (VIDEO)

Shpërndaje në

Tre kandidatët e mbështetur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri në zgjedhjet e 25 prillit, Boiken Abazi në Qarkun Tiranë, Iliaz Shehu në Qarkun Lezhë dhe Kreshnik Merxhani në Qarkun Gjirokastër, kanë dorëzuar mbrëmjen e të hënës në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) në KQZ, kërkesat për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në këto tre qarqe si pasojë e shkeljeve të rënda, manipulimit dhe vjedhjes së votës, të evidentuara gjatë procesit.

Kandidati Boiken Abazi dhe avokatja Suela Hasani kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë folur për argumentat e paraqitura në ankesën zyrtare drejtuar KQZ-së. Abazi tha se zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të ndershme dhe do të kërkohet shqyrtimi i hollësishëm i të gjitha provave të depozituara për manipulimin përpara dhe gjatë fushatës, duke synuar vendosjen e drejtësisë dhe një vendim të KAS-it në përsëritje të zgjedhjeve në këto tre qarqe.

“Ne do ta çojmë këtë betejë ligjore deri në fund. Do të jemi aty edhe në dëgjesën publike që do të mbahet për ankesën tonë. Nëse kjo nuk pranohet, ne jemi të gatshëm ta çojmë edhe në Kolegjin Zgjedhor. Do t’i përdorim të gjitha instrumentet ligjore në mënyrë që të ndalet vjedhja dhe manipulimi i votës në Republikën e Shqipërisë. Një pjesë e votave të pavlefshme ose janë bërë qëllimisht të tilla gjatë procesit të numërimit, ose u janë kaluar partive të tjera”, tha Boiken Abazi.

Por manipulimet kanë nisur shumë më herët duke keqpërdorur punësimet në administratën publike dhe buxhetin e shtetit, në shkelje të ligjit.

Avokatja Suela Hasani ka përmendur në mënyrë të përmbledhur shkeljet e evidentuara të cilat kanë të bëjnë me pengimin e vëzhguesve të akredituar të kandidatit në qendrën e numërimit, shkelje që lidhen me votat e pavlefshme (18422 të tilla në Qarkun Tiranë), shkelje që lidhen me procesin e numërimit, mungesë e pamjeve filmike të kamerave 360 gradë në tre KZAZ në Tiranë, mohimi i të drejtës për të votuar për shkak të COVID-19, shkeljet që kanë të bëjnë me masat karantinuese të vendosura nga Qeveria për qytetarët që ktheheshin nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, presioni ndaj qytetarëve përmes vjedhjes së të dhënave në një databazë publike, mohimi i të drejtës së votës së qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë si dhe keqpërdorimi i punësimit në masë në administratën publike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! po vijon të publikojë përditë prova për vjedhjen dhe manipulimin industrial të zgjedhjeve të 25 qershorit në Shqipëri.

11 maj 2021

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri

+ posts