KAS votoi sot në mbështetje të krimit elektoral
Me 3 vota Kundër dhe 2 vota Pro, Komisioni për Ankesa dhe Sanksione (KAS) e rrëzoi sot ankesën e kandidatit të pavarur Kreshnik Merxhani për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Qarkun e Gjirokastrës.
Pa u shprehur mbi asnjë prej provave të depozituata nga Merxhani, pa folur fare për videot e bëra publike që dëshmonin përtej çdo dyshimi manipulimin e votave gjatë procesit të numërimit, pa pranuar kërkesën për verifikime të thelluara, me arrogancën e numrave dhe në shkelje të Kodit Zgjedhor, tre anëtarët e KAS-it e rrëzuan sot ankesën e Merxhanit. Ky vendim tenton të vendosë vulën e heshtjes dhe mosveprimit mbi vjedhjen dhe deformimin e votës. Anëtarët e KAS-it janë të përzgjedhur nga partitë politike. Tre prej tyre, ata që votuan kundër ankesës, janë të përzgjedhur nga Partia Socialiste. Me një përbërje të tillë, KAS-i ndjek linjën e instucioneve të kapura që punojnë kundër drejtësisë dhe demokracisë.
Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë ankesë duke e depozituar kërkesën tonë brenda 5 ditëve pranë Kolegjit Zgjedhor.
Tiranë, 19 maj 2021
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri