KOSOVË ´17 –´19 –´21 : E TRETA E VËRTETA

Shpërndaje në

Lëvizja Vetëvendosje, në Kosovë, e ka fituar besimin, me qëndrime dhe veprime politike, se mund ta mbajë realisht mbi supe barrën e shpresës për popullin e shtetin. Partitë më të hershme se Vetëvendosja, që dominuan skenën politike kosovare në emër të rolit të tyre në rezistencën paqësore ose luftën e armatosur për pavarësinë e Kosovës, me sjelljet e mëvonshme në pushtet e kanë mbyllur me shumë dështime ciklin e tyre politik normal.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë, Revista Shenja

Lëvizja VETËVENDOSJE! e kishte ditur qysh më 3 qershorin e 2020, se qeveria e sapokrijuar me në krye Avdullah Hotin, ishte qeveri e kotë. Qeveri «koti». Asaj i mungonte legjitimiteti popullor dhe fuqia parlamentare, sepse LDK-ja, që pretendonte të qeveriste, nuk i kishte fituar zgjedhjet, ndaj detyrohej të mbante si partnerë AAK-në e Nismën, por vazhdimisht edhe të merrte borxh votat e PDK-së, që luante rolin e kinse-opozitës. Agonia e impotencës parlamentare të qeverisë Hoti shkonte gjithnjë deri pranë bllokimit, por asnjëherë nuk bllokohej, sepse kinse-opozita në momentin e fundit e mbante atë në jetë.

Nuk ishin skena të reja. Ajo çka ndodhte në vitin 2020, ku Hoti i një partie jofituese, që kishte pësuar rënie të madhe në mbështetje, mbahej në fuqi prej një kinse-opozite si PDK-ja, nuk ishte gjë tjetër, veçse përsëritje e asaj që kishte ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2017 e deri në ato të vitit 2019. Atëherë kryeministër ishte një tjetër person pa legjitimitet popullor, Haradinaj, ndërsa rolin e kinse-opozitës e luante PSD-ja, një grup prej 12 apo 13 deputetësh renegatë që patën dalë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! menjëherë pas zgjedhjeve të 2017-tës, duke tradhtuar votuesit e tyre (gjë për të cilën u shpërblyen në zgjedhjet e vitit 2019, duke mos marrë asnjë mandat). Pra, patëm një përsëritje të formulës: në vitin 2017 Haradinaj dhe AAK me ndihmën e PSD-së e mbajtën më pak se dy vite, ndërsa në vitin 2020 Hoti e LDK me ndihmën e PDK-së e mbajtën më pak se gjashtë muaj. Nëse ndjekim ecurinë e modelit, do të mund të thoshim se AAK e PSD u ndëshkuan për atë qeverisje të zvarritur e të shëmtuar dhe po e njëjta gjë po ndodh me LDK-në, e cila gradualisht po shkon në vendin që dikur ka pasur AAK-ja, pra nën 15%, ndërsa PDK-ja tash që nuk e ka më PSD-në në parlament, po detyrohet ta zëvendësojë atë.

Një personi që nuk e ndjek politikën partiake në Kosovë, të gjitha këto mund t´i duken të pakuptimta. Përse po flasim për agoni? Ç´të keqe ka që po merren vesh partitë me njëra-tjetrën për të qeverisur? Fundja, a nuk është ky kuptimi i demokracisë, kompromisi?

Pyetjet janë legjitime, ama vetëm me kushtin që po e përsërisim, pra që je person që nuk e ndjek politikën partiake në Kosovë. Sepse nëse e ndjek atë (qoftë edhe pa vëmendje), sigurisht që je i vetëdijshëm për një transformim rrënjësor të situatës elektorale në Kosovë. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm qytetarësh, të të gjitha shtresave e prejardhjeve, të cilët nuk ndihen më të përfaqësuar e as të kënaqur prej partive të vjetra, prapaskenave të tyre, korrupsionit të madh, por shpesh edhe të vogël e banal që ato shkaktojnë e, mbi të gjitha, stërzgjatjes së problemeve me shtetndërtimin në Kosovë, si pasojë e keqqeverisjeve të këtyre partive.

Ky numër i konsiderueshëm qytetarësh qysh në vitin 2017 ia dha fitoren Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila vinte me premtimin për një politikë tërësisht ndryshe, për çrrënjosjen e mentalitetit dhe të kastave të korruptuara dhe me një energji freskuese për demokracinë e vullnet të fortë për shtetin. Mirëpo, sapo fitoi ky subjekt i ri, një numër «dorëheqjesh» të sinkronizuara u aktivizuan. Kapësit e shtetit, forcat e vjetra, nuk ishin të gatshme të dorëzoheshin aq lehtë dhe t´u thoshin të rinjve «mirë se erdhët në krye të shtetit». Kështu që, këta kumbarë që tërheqin fije të padukshme, gjetën një mënyrë që të prodhojnë një «çarje të madhe» brenda në Lëvizje, duke hequr prej 31 deputetëve të fituar, 13 syresh, pra jo pak. Menjëherë, prej spin-doktorëve, u hap mesazhi «Vetëvendosja nuk diti ta menaxhojë fitoren; ajo u nda, sepse ka një lider egoist, e tash nuk do të fitojë më kurrë». «Spini» i doktorëve ishte spin i leshtë: mbajti nja dy dimra, e pastaj u vjetrua dhe u harrua. Një numër edhe më i madh qytetarësh u afruan pranë të njëjtit subjekt, me një këmbëngulje për t´u admiruar, sepse atyre u duhej ndryshimi e sepse ata e donin Kosovën dhe nuk donin të jenë të detyruar të mërgojnë për të jetuar ose ta ulin kokën për të qëndruar. Prandaj që në vitin 2019, në tetor, Lëvizja VETËVENDOSJE! doli sërish e para, me një numër më të madh votash. Kësaj radhe nuk mund të zbatohej më skenari i vitit 2017. Askush nuk ishte më i gatshëm të dilte nga radhët e Lëvizjes, sepse u dëshmua se një taktikë e tillë ishte e pasuksesshme dhe shumë e kushtueshme: në njërën anë, nuk e realizonte dot ndaljen dhe rënien e këtij subjekti, ndërsa në anën tjetër u kushtonte shumë karrierave politike të njerëzve që mund të mendonin ndonjë aventurë të tillë. Cilido person, me sadopak respekt për veten, do të përpiqej të mos ecte më në gjurmët e PSD-së. Kështu që, duhej një tjetër taktikë, që pushteti të mos ikte prej duarve të njëjta.

Taktika e re u gjet te një pjesë e LDK-së, e cila u tregua e gatshme të shkelte premtimin për koalicion me LVV-në, si dhe atë për reciprocitet me Serbinë, premtime që ua kishte dhënë votuesve të vet në fushatë. Ajo pjesë e LDK-së, që e ndërmori këtë shkelje të vetvetes, megjithatë nuk ishte krejt LDK-ja. Pati në LDK njerëz që këmbëngulën parimisht në mbajtjen e fjalës, në krye të të cilëve ishte Vjosa Osmani, personi më i votuar i asaj partie. Sa i përket asaj pjese të LDK-së, që shkelën premtimin dhe rrëzuan Albin Kurtin, ajo në logjikën e saj udhëhiqet nga frika. Publikisht thonë se kanë frikë se po prishen marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën (“sa herë kanë hallin e korrupsionit të tyre bërtasin ‘amelika-amelika’” – thoshte dikur Kurti) dhe lënë të kuptohet se kishin frikë nga Grenell-i. Por, të gjithë e dinë se frika nga ambasadori Grenell ishte e sajuar. Pavarësisht «spineve» vendore, ai ambasador nuk erdhi nga jashtë me një mision të imponuar dhe me lejen për të bërë gjithçka për të realizuar misionin e vet. Përkundrazi, misioni i cili iu mvesh Grenell-it (dhe Trump-it) ishte një projekt i vjetër i Vuçiqit, të cilin më pas e bëri të vetin edhe Thaçi me ortakët e vet në PDK e LDK dhe pikërisht këta pushtetarë e ftuan Grenell-in. Nuk mund të flasim për presion amerikan ose presion nga ana e ambasadorit, kur ai ftohej së brendshmi, nga vetë partnerët qeverisës (por edhe nga disa kinse-opozitarë të PDK-së dhe disa njerëz të pushtetit korporativ e atij mediatik) për ta bërë atë presion dhe për të mbështetur planet me rrënjë nga Beogradi.

Megjithatë! Kumbarët kapës të shtetit u duk se fituan përkohësisht, e ndalën edhe pak LVV-në dhe sërish bënë një qeveri koti, sa për ta vonuar ndryshimin. Basti i tyre i madh politik ishte te presidenti Trump dhe te mbështetja e projektit të këmbimit të territoreve, te minishengeni dhe te e ashtuquajtura Marrëveshje e Uashington-it (shtator 2020), e cila nuk ishte aspak marrëveshje dhe as e dobishme ose e mirë për Kosovën. Përkundrazi.

Por, në vend që të ndalej e të binte mbështetja për Lëvizjen, vazhdoi të ndodhte e kundërta, kësaj radhe edhe më shpejt se herët e tjera. Brenda fare pak muajsh, LVV-ja e dyfishoi rezultatin në sondazhe, me afrimin e mbështetjes nga shumë njerëz që deri dje kishin qenë votues të PDK-së, të LDK-së, të AAK-së e partive të tjera. Të gjitha sondazhet, si ato me kampionim e metodologji serioze, ashtu edhe ato mediatike e të paguara nga televizionet, nisën të nxjerrin një rezultat shumë të lartë (afër ose mbi 50%) për LVV-në. Me fitoren e LVV-së tashmë janë pajtuar të gjitha partitë, pjesëtarë e kryesues të të cilave e kanë pohuar këtë gjë, duke thënë se përpjekja e tyre e vetme në këto zgjedhje është që të mos ia mundësojnë këtij subjekti arritjen e 51%-shit.

Por, fati nuk po u prin këtyre takticienëve të partive të vjetra. Në fillim të nëntorit, në zgjedhjet e mbajtura në SHBA, fitoi bindshëm presidenti Biden. Kandidati i preferuar i pushtetarëve të korruptuar të Kosovës, i oligarkëve dhe i disa mediave të tyre, i humbi zgjedhjet atje, pavarësisht skemave e skenave me trazira e me mosnjohje rezultatesh. I vetmi politikan shqiptar që u angazhua për mbështetjen e Joe Biden gjatë atyre zgjedhjeve, me rëndësi të madhe historike për Amerikën e mbarë globin, ishte Albin Kurti. Mesazhi i Kurtit ftoi edhe dhjetëra mijëra votues shqiptarë-amerikanë, të cilët ishin të përqendruar në disa shtete me rëndësi specifike për rrjedhën e ngjarjeve në zgjedhjet amerikane.

E në fund të nëntorit, në zgjedhjet e parakohshme lokale në Mitrovicë të Veriut, ku votat e shqiptarëve zakonisht i ka marrë në shumicë PDK-ja, kësaj radhe fitoi për herë të parë LVV-ja. Njësoj edhe në Podujevë, ku për herë të parë në histori LDK-ja i humbi zgjedhjet lokale, ndërsa LVV-ja e theu këtë bastion historik pa balotazh, pra duke fituar gati 52% të votave. Ky rezultat me rëndësi e hodhi poshtë pretendimin bajat kinse në Kosovë askush nuk fiton dot mbi 50%, se i tillë është sistemi elektoral.

Rënia e Hotit shkaktoi zgjedhje në Kosovë, të cilat janë shpallur zyrtarisht për datën 14 shkurt. Kësaj radhe kapësit e shtetit duket se kanë mbetur pa mjete. Nuk kanë më njerëz brenda LVV-së për të krijuar çarje. LVV-ja nuk ka më nevojë për koalicion për të qeverisur, sepse siç duket po fiton në nivel shtetëror me përqindje ndoshta edhe më të lartë se ajo në Podujevë. Po ashtu, nuk mund ta përdorin më as kartën amerikane, sepse nuk ka më Grenell, sepse vetë kapësit u bënë mbështetës të zëshëm ndërkombëtarisht të Trump-it, ndërsa me presidentin e ri Biden marrëdhënia e Albin Kurtit duket se do të jetë më se e mirë (ndërkohë që kontaktet kanë filluar).

Si mjet të fundit të tyre, kapësit e shtetit, po përdorin KQZ-në. Kjo trupë përfaqësuesish politikë, në kundërshtim me veprimet e veta të mëparshme, madje edhe në kundërshtim me rekomandimin nga Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike (që është trupë profesionistësh e jo trupë politike), ndërmori disa masa absurde e kundërthënëse, me synim për të ndalur nga pjesëmarrja në zgjedhje Albin Kurtin.

Kjo taktikë e fundit, duket më e mjera dhe më impotentja, krahasuar me ato që u përdorën në vitet 2017 e 2020 kundër Kurtit e LVV-së. Por, edhe kjo, sigurisht, ka për të pasur progresionin e njëjtë. Nëse më 2017 u arrit prej tyre një shmangie dyvjeçare, më 2020 u arrit një shmangie gjashtë mujore, tash i bie që të mund të fitojnë jo më shumë se një ose dy muaj kohë, duke e futur vendin në kriza politike të panevojshme. Por, numri i qytetarëve të vendosur për ndryshim, vetëm sa do të rritet.

Le ta trajtojmë shkurt këtë mbështetje të madhe qytetare për LVV-në e Albin Kurtin! Çfarë nuk është kjo mbështetje e çfarë është ajo? Së pari, kjo mbështetje nuk është një leje për gjithçka, një carteblanche. Këta njerëz, të bindur vetëm në muajt e fundit për të votuar një subjekt që pretendon tash e dhjetë vite se përfaqëson drejtësinë e ndryshimin, nuk janë njerëz të ideologjizuar e të indoktrinuar, të cilët do ta ndjekin LVV-në pa hezitim, kudo që ajo do të shkojë. Që të mirëmbahet kjo trupë e re elektorale, ajo kërkon moderim, hapje dhe shumëllojshmëri të mesazhit e të politikave. Pra, këta mbështetës të LVV-së janë garancia se, jo vetëm që nuk do të ketë rrëshqitje larg moderimit gjatë qeverisjes së këtij subjekti, por nuk do të mund të ketë as tendenca autoritare. Sepse, çdo gabim i tillë, do të rrezikonte t´ia ulte LVV-së numrin e votuesve të ardhur së fundmi, të cilët me gjasë janë gjysma e totalit të plotë të votuesve. Së dyti, kjo mbështetje e madhe është një ofertë që qytetarët ia bëjnë LVV-së dhe Albin Kurtit, jo thjesht si shpërblim për heroizma e qëndresë, por me shpresën që ky subjekt e ky udhëheqës të mund të përmbyllin disa çështje të rëndësisë themelore për Kosovën. Ato çështje janë: dialogu i stërzgjatur e, së fundmi edhe i pervertuar nga Thaçi, mes Kosovës e Serbisë; luftimi efektiv i korrupsionit si kusht deciziv për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian; si dhe vendosja e principeve të profesionalizmit e të efikasitetit aty ku mungojnë më së shumti, pra në administratën shtetërore, të cilën partitë e shkuara e kanë mbushur plot me familjarë e miq të vetët.

Këto tre çështje të mëdha, që qytetarët e Kosovës i presin prej Albin Kurtit, i shqetësojnë tre faktorë decizivë, të cilët janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin, por megjithatë janë të shqueshëm. Ata janë Serbia (e Vuçiqit); kapësit e shtetit e të korruptuarit e korruptuesit e mëdhenj; si dhe një grup i vogël njerëzish të paaftë, që fatkeqësisht jo vetëm që e kanë zënë pozitën, vendin e udhën e njerëzve meritorë, por edhe vetë shtetit e institucioneve ku punojnë ua kanë bllokuar rrugën e ëndërruar, atë të zhvillimit pas pavarësisë.

Sa i përket dialogut, Albin Kurti do të jetë lideri me gjasat më të mëdha për të arritur një rezultat historik për këtë dialog. Pse? Sepse gëzon mbështetje të gjerë popullore (sondazhet dhe rezultatet e zgjedhjeve kanë rëndësi edhe për këtë punë). Vetëm një lider që ka mbështetje masive popullore mund të marrë vendime të tilla. Ata që nuk kanë mbështetje popullore, pra ata të partive të vjetra, i pamë se si u detyruan të hyjnë në pazare edhe me subjekte minoritare që kontrollohen prej Beogradit. Pra, kur ke mbrapa kaq shumë njerëz, edhe në negociata e dialog je shumë më i fortë. Përveç kësaj, Albin Kurti gëzon edhe besueshmëri të madhe popullore. Ai ka instaluar publikisht një besim te transparenca e vlera të ngjashme. Shtoji këtyre dhe logjikën e mprehtë e sistematike që ai vetë e gëzon si person, si dhe punën përimtësuese e profesionale të ekipeve me të cilat ai punon në kuadër të subjektit LVV, por edhe jashtë tyre, për të kuptuar se askush prej udhëheqësve kosovarë nuk do të gjendej dot në rrethana kaq të mira sa Albin Kurti, për të gjetur zgjidhjen më të mirë për Kosovën në raport me këtë proces delikat. Kjo gjë, me sa duket, e shqetëson shumë Vuçiqin dhe kastën e tij në Beograd. Ata nuk e duan një si Kurti, që jo vetëm do të sillte drejtpeshim mes dy vendeve, por që me moralin e mençurinë e spikatur, si dhe me legjitimitetin popullor e ndërkombëtar që gëzon, mund ta bënte peshoren edhe një herë që të anonte nga ana e së drejtës, pra nga ana e Kosovës.

Prandaj, nuk duhet ta nënvleftësojmë edhe rolin e Serbisë në pengimin e qeverisë Kurti. Fqinji verior e gjen veten me interesa të kundërt me LVV-në në lidhje me zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, gjë që përputhet me interesat e PDK-së dhe LDK-së.

Mirëpo, siç duket, kësaj radhe interesat e taktikat e Vuçiqit e ato të PLAN-it do të bien në ujë. Viti 2021 ka për të qenë fitorja e tretë e VETËVENDOSJE!-s dhe i rikthimit të Albin Kurtit në qeverisje, por edhe vit i rikonfigurimit dhe i përmirësimit rrënjësor të marrëdhënieve Kosovë-Amerikë. Ka për të qenë vit i luftës ndaj pandemisë me njerëz si Arben Vitia, por edhe i luftës kundër krimit e korrupsionit me njerëz si Liburn Aliu, Xhelal Sveçla e Besnik Bislimi. Vit kur Kosova do të mund ta ndërtojë ngrehinën mbi themelet e saj, me Albin Kurtin, njeriu që solli te qytetarët shpresë e besim në politikë, në një rajon si Ballkani, ku edhe folklori e edhe dokumentet e së shkuarës, dëshmojnë se, në raport me politikën, në popull kryesisht ka mbizotëruar cinizmi. Kjo shpresë e ky besim janë në fakt jetë, aty ku shumëkush mendon se ka qenë e mundur vetëm mbijetesa.

+ posts