Me Boikenin, Iliazin e Kreshnikun ia hapim rrugën VETËVENDOSJE!-s

Shpërndaje në

Të enjten pasdite, aktivistë e qytetarë mbështetës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mblodhën në një aktivitet publik, organizuar duke respektuar me kujdes masat kundër pandemisë.

Në këtë aktivitet tre kandidatët, Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani mbajtën fjalime ku përçuan frymën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kritikën ndaj partive të vjetra dhe prapambetjes ku ato e kanë lënë Shqipërinë.

Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Prishtina, të pranishmit i përshëndeti edhe kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti.

Albin Kurti vlerësoi se Vetëvendosja në Shqipëri, edhe pse në këto zgjedhje ka dalë me tre kandidatë, ka bërë një fushatë shembullore. Ai tha se kemi fituar tre figura dinjitoze publike në këtë fushatë. Boiken Abazin, Iliaz Shehun dhe Kreshnik Merxhanin, tre ligjërues universitarë, të cilët kanë vendosur të hyjnë në politikë jo për pozitë apo për post, por si sakrificë, për çështje.

Kryetari Kurti i ftoi gjithë qytetarët e Shqipërisë me të drejtë vote, që të votojnë për Boiken Abazin në Qarkun e Tiranës, për Iliaz Shehun në Qarkun e Lezhës e për Kreshnik Merxhanin në Qarkun e Gjirokastrës. Po ashtu ai ftoi shtetasit e Kosovës që kanë edhe nënshtetësi të Republikës së Shqipërisë, që në ditën e zgjedhjeve, pra të dielën e 25 prillit, të nisen drejt Tiranës, Lezhës dhe Gjirokastrës, drejt këtyre qyteteve që të votojnë Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun.

“Me këta të tre, ia hapim rrugën VETËVENDOSJE!-s edhe në Shqipëri” tha Albin Kurti.

+ posts