Misioni

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri është organizatë jo fitimprurëse e themeluar zyrtarisht në vitin 2019 nga 9 aktivistë që janë angazhuar prej shumë vitesh duke ndërthurur teorinë me praktikën për çështjen kombëtare shqiptare dhe progresin shoqëror:  Enis Sulstarova, Glauk Konjufca, Hysamedin Feraj, Dejona Mihali, Elvis Hoxha, Arbër Zaimi, Liburn Aliu, Gearda Demiraj, Sami Kurteshi dhe Boiken Abazi. Qendra synon të japë mbështetjen për ushtrimin e së drejtës demokratike për vetëvendosje sipas “aspiratës shekullore të popullit shqiptar për indentitetin dhe bashkimin kombëtar”, në përputhje me Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe me parimin e vetëvendosjes së popujve, të shprehur në Kreun 1 të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qendra frymëzohet nga vlerat e shprehura të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Republikën e Kosovës dhe nga historia e rezistencës së popullit shqiptar në përpjekjen për liri, ku duhen theksuar Rilindja Kombëtare dhe vlerat e lavdishme të luftërave çlirimtare kombëtare.

Qendra punon në rritjen e vetëdijes se bashkimi kombëtar dhe integrimi i Shqipërisë, dhe më gjerë i shqiptarëve, në strukturat Euro-Atlantike (si Bashkimi Evropian dhe NATO) janë procese që duhen realizuar paralelisht dhe e plotësojnë njëri-tjetrin. Ajo ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe aktivizmit qytetar në Republikën e Shqipërisë mbi problematikat e shqiptarëve që jetojnë në treva autoktone shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe anasjelltas.

Qendra beson në njeriun si qenie e lirë dhe në realizimin e tij vetëm duke i zhvilluar bashkërisht liritë themelore, politike, qytetare, ekonomike, sociale dhe demokratike, si kolektivitet dhe si individë. Ajo e konsideron me rëndësi vetëbesimin qytetar, autenticitetin e mendimit kundër formave të (neo)kolonizimit të tij, duke i dhënë vlerë realizimit të lirive dhe të drejtave të popujve, të kolektiviteteve e të individëve përsa janë në përputhje me liritë dhe të drejtat burimore, të barabarta dhe universale të njerëzimit.

Qendra vlerëson se modeli neoliberal i aplikuar në ekonomi si dhe mungesa e një ekonomie të bazuar në prodhim, i kanë përqëndruar të mirat materiale, dhe në përgjithësi kapitalin, në duart e një pakice të vogël në Shqipëri dhe në trevat e tjera shqiptare të rajonit, duke krijuar pabarazi të skajshme dhe varfëri për një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Prandaj, Qendra beson te parimet e shtetit zhvillimor, dhe synon t’i përhapë vlerat e këtij modeli ekonomik që bazohet në prodhim dhe lufton pabarazinë.

Për realizimin e qëllimeve të saj Qendra e konsideron të rëndësishme veprimin lokal si mbështetja më e mirë për veprimin e tillë rajonal dhe botëror.