Nuk ka drejtësi për Klodianin me Ardi Veliun e lirë dhe në krye të Policisë

Shpërndaje në

Ditën e djeshme, më 3 qershor 2021, në media u publikuan pamjet filmike të një prej kamerave të sigurisë në vendngjarjen e vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga ish-efektivi i policisë Nevaldo Hadëraj mesnatën e 8 dhjetorit 2020. Video tregon se Klodiani as nuk kishte armë, as nuk e ka sulmuar fizikisht efektivin e policisë, por është goditur me armë zjarri nga efektivi i policisë nga pas shpine duke u larguar prej tij.

Në ditët pas krimit, kupola drejtuese e Policisë së Shtetit me në krye Ardi Veliun, u përfshi në manipulimin e opinionit publik mbi të vërtetën e ngjarjes, përmes deklaratave që inkriminonin 25 vjeçarin e ndjerë. Por për videon e publikuar ditën e djeshme nuk ka mundësi që organet ligjzbatuese të mos kenë qenë shumë më herët në dijeni, prej muajit dhjetor. Kjo veçse e rëndon pozitën e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, duke e faktuar tashmë se ka konsumuar një krim institucional përmes mashtrimit publik mbi të vërtetën e vrasjes së Klodian Rashës. Kjo ngjarje e rëndë ishte një prej episodeve që dëshmojnë instalimin e elementeve të shtetit policor në Shqipëri.

Në vend të shkarkimit të menjëhershëm të kryepolicit të inkriminuar Ardi Veliu dhe hetimit të tij, Kryeministri Edi Rama u mjaftua atë kohë me dorëheqjen e ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, ndërkohë që ndaj protestave qytetare që kërkonin edhe shkarkimin e të parit, Policia e Shtetit vijoi të ushtronte për 6 ditë me radhë dhunë fizike, gaz lotsjellës dhe arrestime.

Më 11 dhjetor 2020, Qeveria e thelloi më tej mashtrimin dhe aktin e fshehjes së krimit të nisur nga kryepolici Veliu, duke e shpallur vrasjen “aksidentale” përmes një VKM-je absurde me synimin e paragjykimit të vendimit të procesit gjyqësor si formë presioni ndaj drejtësisë, para së cilës gjendet tashmë i pandehur efektivi Nevaldo Hadëraj.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri ka qenë konsistente në qendrimet e shprehura publikisht mbi këtë krim, dhe faktet kanë provuar se qëndrimet tona janë të drejta.

Thirrja “Drejtësi për Klodianin” është aktuale përderisa ende drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë i inkriminuar, dhe ndaj tij nuk kanë nisur hetime.

Prej publikimit të materialit filmik ditën e djeshme, për publikun e gjerë është bërë edhe njëherë e qartë se Policia e Shtetit, me deklaratat e saj kundërthënëse, ka tentuar ta mbulojë krimin dhe të manipulojë opinionin publik. Këto akte përbëjnë krim institucional të Policisë. I dyshuari kryesor për këtë krim institucional është kryepolici Ardi Veliu. Ndaj përsëritim kërkesën publike bërë më 10 dhjetor 2020: Prokuroria të lëshojë menjëherë urdhërarrestin për këtë zyrtar të kriminalizuar që drejton Policinë e Shtetit dhe ai të vihet përpara drejtësisë.

Tiranë, 4 qershor 2021

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri

+ posts