Organizim sindikal, të drejta dhe mbrojtje për punëtorët!

Shpërndaje në

Në ditën ndërkombëtarëve të punëtorëve, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri shpreh solidaritet të plotë me të gjitha gratë dhe burrat të cilëve u përbuzet dinjiteti në punë dhe u shkelen të drejtat themelore të punës e jetës.

Ky 1 maj, njësoj si i kaluari, i gjen punëtorët në Shqipëri pa sindikalizëm dhe pa mbrojtje. Edhe më keq, i gjen me një qeveri e cila në mandatin e saj të parë mburrej se në Shqipëri nuk kishte sindikata, në mandatin e saj të dytë ftonte biznesmenët që t’i largonin nga puna punëtorët shqiptarë që kërkonin paga e të drejta dhe t’i zëvendësonin ata me fatkeqë të trafikuar nga vende të tjera, e tash, nëse vijon mandatin e tretë, sigurisht do të thellojë politikat e saj kundër atyre që punojnë.

Ato pak sindikata që me shumë mund dhe sakrificë janë të organizuara, përballen me padrejtësinë e dyfishtë, të punëdhënësit që i godet, dhe të qeverisë që mbështet në heshtje goditjen.

Të protestosh për të drejtat e punës në Shqipëri të garanton prangat, gjobat e largimin nga puna. Por nuk preket nga ligji asnjëri nga ata që vjedhin punonjësit, që nuk ua paguajnë pagën në kohë, nuk ua paguajnë sigurimet shoqërore, nuk u japin pushime mjaftueshëm, i ngacmojnë apo i shantazhojnë në punë e jashtë pune, si dhe ua rrezikojnë jetën e shëndetin.

Punëtoret e punëtorët nuk kanë nevojë për “Pronarin bamirës” që u jep gjoja ndihmë kur janë në zgrip të jetës. Ata kanë nevojë për kontrata të rregullta, për pagesën në kohë dhe sipas kontratës, për kushte pune, për ditët e pushimit dhe për ligje e institucione që mbajnë gjithnjë krahun e punëtorit.

Të drejtat fitohen dhe mbrohen me përpjekje e organizim të vazhdueshëm. Është e padurueshme kur këtë përpjekje e minon vetë krahu publik pra Qeveria dhe Kuvendi.

Ne si Lëvizje, si aktivistë, si qytetarë jemi përkrah punëtorëve, punonjësve, nëpunësve, të punësuarve me rrogë a mëditje, e do të ndihmojmë me çdo mundësi që kemi, në çdo organizim për më shumë të drejta e sindikalizëm.

Tiranë, 1 maj 2021

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri

+ posts