Pyetje të shpeshta

A është Lëvizja VETËVENDOSJE! parti apo organizatë e shoqërisë civile?

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri është regjistruar në muajin prill 2019 si organizatë e shoqërisë civile me statusin e “Qendrës” pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në Kosovë Lëvizja VETËVENDOSJE! funksionin si parti politike. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e shtrirë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në mërgatën shqiptare nëpër botë.


Kthehu në krye

Çfarë lidhje ka Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri me atë në Kosovë?

Themeluesit e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri kanë qenë të angazhuar për shumë vite edhe pranë Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë. Aktivistët e konsiderojnë veten pjesë të së njëjtës Lëvizje mbarëkombëtare dhe përfshihen në aktivitete të përbashkëta, por Qendra në Shqipëri i merr vendimet në mënyrë autonome.


Kthehu në krye

Si financohet Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri?

I gjithë aktiviteti ynë financiar mbështetet përmes vetëfinancimit nga aktivistët e Qendrës dhe qytetarë që besojnë në misionin dhe vlerat e organizatës tonë. Çdo kontribut i qytetarëve nga brenda dhe jashtë vendit përdoret me përgjegjësinë maksimale për synimet dhe realizimin e aktiviteteve të LVV Shqipëri. Në përputhje me Nenin 10 të Statutit, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri nuk pranon kontribute dhe dhurata nga individë, apo subjekte private/publike, që përkrahin racizmin, ose promovojnë diskriminimin bazuar mbi gjendjen ekonomike, prejardhjen gjeografike, arsimimin, si dhe përkatësinë gjinore, etnike apo fetare.


Kthehu në krye

Si mund të kontribuoj për Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Shqipëri?

Në Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri qytetarët mund të kontribuojnë në mënyra të ndryshme, prej angazhimit të drejtpërdrejt si anëtarë, pjesëmarrja në aktivitetet e Qendrës, kontributi përmes donacioneve financiare dhe në natyrë, përfshirja në grupe të ndryshme pune sektoriale ose tematike, ide dhe propozime, etj.


Kthehu në krye

Cili është qëndrimi juaj për bashkimin kombëtar?

Qendra synon të japë mbështetjen për ushtrimin e së drejtës demokratike për vetëvendosje sipas “aspiratës shekullore të popullit shqiptar për indentitetin dhe bashkimin kombëtar”, në përputhje me Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe me parimin e vetëvendosjes së popujve, të shprehur në Kreun 1 të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qendra frymëzohet nga vlerat e shprehura të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Republikën e Kosovës dhe nga historia e rezistencës së popullit shqiptar në përpjekjen për liri, ku duhen theksuar Rilindja Kombëtare dhe vlerat e lavdishme të luftërave çlirimtare kombëtare.Qendra punon në rritjen e vetëdijes se bashkimi kombëtar dhe integrimi i Shqipërisë, dhe më gjerë i shqiptarëve, në strukturat Euro-Atlantike (si Bashkimi Evropian dhe NATO) janë procese që duhen realizuar paralelisht dhe e plotësojnë njëri-tjetrin.


Kthehu në krye

Si mund të anëtarësohem?

Për t’u anëtarësuar në LVV Shqipëri ju lutemi të plotësoni fillimisht formularin në faqen e internetit: https://shqiperi.vetevendosje.org/anetaresohu/


Kthehu në krye

A keni degë të tjera në Shqipëri?

Synimi i LVV Shqipëri është që të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht jemi në punë e sipër për të ngritur grupe punuese edhe jashtë Tiranës. Për më shumë informacion ju lutemi të na kontaktoni drejtpërdrejt.


Kthehu në krye

Cili është modeli ekonomik që propozon Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra vlerëson se modeli neoliberal i aplikuar në ekonomi si dhe mungesa e një ekonomie të bazuar në prodhim, i kanë përqëndruar të mirat materiale, dhe në përgjithësi kapitalin, në duart e një pakice të vogël në Shqipëri dhe në trevat e tjera shqiptare të rajonit, duke krijuar pabarazi të skajshme dhe varfëri për një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Prandaj, Qendra beson te parimet e shtetit zhvillimor, dhe synon t’i përhapë vlerat e këtij modeli ekonomik që bazohet në prodhim dhe lufton pabarazinë.


Kthehu në krye

Cilën parti mbështet Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri?

LVV në Shqipëri nuk mbështet asnjë parti politike. Aktiviteti i Qendrës është politik në kuptimin më të gjerë të fjalës, të njeriut si qenie politike që jeton e vepron në bashkësi.


Kthehu në krye

Cila është adresa e zyrës së Lëvizjes në Tiranë?

Adresa e plotë e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri është:

Rruga e “Barrikadave”, vila 158, shkalla 1, kati 2, Tiranë, Shqipëri

Tel: +355 4 450 4588 ; E-mail: [email protected]


Kthehu në krye