SHUMË ZHURMË PËR (AS)PAK GJË

Shpërndaje në

Nëse Lëvizja VETËVENDOSJE! në Republikën e Kosovës synon një model të ri të qeverisjes, aktivistët që kandidojnë për t’u zgjedhur deputetë në Kuvendin e Shqipërisë po synojnë që të ndërtojnë një opozitë të vendosur, siç ka qenë deri tani Lëvizja në Kuvendin e Kosovës. Ata do të ngrenë në Kuvendin e Shqipërisë dhe para publikut çështje për të cilat partitë e tjera parapëlqejnë të bëjnë pazare të fshehta. Ata nuk do të mbyllin sytë ndaj shkeljes së ligjit dhe do të denoncojnë korrupsionin e politikanëve me pushtet dhe të atyre që dikur kanë pasur pushtet.

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Dy ngjarje – përplasja fizike në zyrat e partisë Fryma e Re Demokratike midis Presidentit të Republikës me policinë e Bashkisë së Tiranës dhe shoqërimi i kryeministrit në Elbasan me persona me precedentë penalë, të cilët u ndeshën me simpatizantë të Partisë Demokratike në ditën festive të 14 marsit – tregojnë nxehjen e klimës politike në Shqipëri disa javë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Tridhjetë vite pas mbajtjes së zgjedhjeve të para pluraliste edhe këtë herë përballja e tri partive kryesore politike me votën e qytetarëve duket si një betejë e ashpër, ku fituesi do të marrë gjithçka, ndërsa humbësit nuk do t’i mbetet asgjë. Kjo është deri diku e vërtetë po të kemi parasysh se institucionet shtetërore konsiderohen prej partive si një plaçkë me të cilën motivohen “bandat” përkatëse: njëra kërkon të mbajë fort pushtetin dhe tjetra kërkon t’ia heqë nga dora. Sistemi politik në Republikën e Shqipërisë është ndërtuar mbi plaçkitjen sistematike të institucioneve shtetërore, pronës publike e private dhe mbi aleancat e politikanëve me krimin e organizuar. Nuk pritet që rotacioni politik të prodhojë një ndryshim radikal.

Le ta kujtojmë edhe njëherë se si funksionon sistemi politik në Republikën e Shqipërisë, përtej programeve të partive dhe premtimeve zgjedhore. Një pjesë e mirë e anëtarëve motivohen për të punuar për partinë me premtimin se do të ruajnë punësimin ose se do të punësohen në administratën publike. Administrata publike, qendrore dhe vendore, mbetet punëdhënësi më i madh. Rrogat shtetërore janë të ulëta, por në kushtet e një varfërie masive dhe të një papunësie të lartë, sidomos te të rinjtë e diplomuar, perspektiva e një pozite në administratë, të paktën për disa vite, mbetet tërheqëse. Meqenëse rroga shpesh nuk del në fund të muajit, ata zyrtarë që kanë pozicione kontrolluese ose kanë në dorë dhënien e lejeve për veprimtari të ndryshme, marrin në konsideratë dhe justifikojnë mundësitë për të nxjerrë fitime korruptive. Sigurisht që sa më lart në ngjitesh në hierarkinë administrative, aq më i madh është korrupsioni, duke kulmuar me politikanët në majën e piramidës. Vetëdija e përhapur se punësimit në shtet mund t’i vijë fundi pas zgjedhjeve të radhës, e detyron një pjesë që “të verë dhjamë” për ta konsumuar në rast se partia del në opozitë. Kjo situatë sjell një fryrje artificiale dhe funksionim joefikas të administratës publike. Pas çdo rotacioni politik hiqen nga puna punonjës të sektorit publik, që mund të jenë të kualifikuar, për t’u zëvendësuar nga militantët partiakë dhe hapen vende pune fiktive. Specialistët me të vërtetë të kualifikuar që i mbijetojnë rotacionit politik janë të detyruar që të kryejnë detyrat e kolegëve të tyre që i ka punësuar partia dhe sigurisht që rendimenti i përgjithshëm i punës së administratës është tepër i ulët po të krahasohet me standardet europiane. Sektorë të tërë të administratës publike në Shqipëri ka kohë që janë kthyer në rentiere, sepse shpenzimet për to nuk justifikojnë shërbimet që ofrojnë (p.sh. zyra pune që nuk punësojnë, polici pyjore që nuk ndal shpyllëzimin etj.).

Asnjëherë në Shqipëri nuk janë bërë tërësisht të ditura burimet e financimit të partive. Anëtarësia nuk paguan kuota, por edhe sikur ajo të paguante nuk do ta kishte të mundur të paguante për shpenzimet shumë të mëdha të fushatave zgjedhore, të cilat i tejkalojnë fondet që shteti u shpërndan për këtë qëllim partive politike. Burimet alternative për të mbajtur administratën partiake dhe për të paguar fushatën janë dy: sipërmarrja private dhe krimi i organizuar. Sipërmarrësit priren nga fitimi dhe pagesat për partitë i shohin si investime që duhet të kthehen së bashku me fitime dhe kjo shpjegon lehtë klientelizmin politik në Shqipëri. Sipërmarrja e madhe financon si partitë në pushtet, ashtu edhe partitë në opozitë, sigurisht me pritshmërinë që politikat publike do të bëhen sipas interesave të saj dhe fondet e tenderëve publike do të përfundojnë në llogaritë e saj bankare. Sa më e madhe kriza ekonomike, aq janë të më vogla janë fitimet në treg dhe aq më jetike e ka sipërmarrja e madhe për t’iu drejtuar buxhetit të shtetit. Ajo që ka ndodhur sidomos në vitet e fundit në Shqipëri ka qenë rritja e taksave për shtresën e mesme dhe sipërmarrjet e vogla. Me paratë e grumbulluara janë financuar shumë shtrenjtë vepra publike, sipas projekteve që i kanë përfituar sipërmarrje të lidhura me kryeministrin dhe Partinë Socialiste. Kjo është forma e akumulimit të kapitalit në kushtet kur tregu karakterizohet nga rënia e fuqisë blerëse dhe kur sektori privat në përgjithësi nuk është i orientuar për nga prodhimi, por vepron kryesisht si agjent shitjeje i mallrave të importuara. Sipërmarrës të mëdhenj në bashkëpunim me qeverinë organizojnë grabitjen me ligj të pronave publike e private. Ata marrin në dorë sektorë të shërbimeve publike me anë të PPP-ve dhe monopolizojnë shfrytëzimin e pasurive natyrore. Këto të fundit shfrytëzohen pa kriter. Shoqëria nuk përfiton thuajse asgjë nga privatizimi, por përkundrazi mban mbi supe dëmet pasi dështon cikli i radhës i privatizimeve: borxhet që ndërmarrjet e privatizuara u kanë agjencive shtetërore, pagesat e prapambetura të fuqisë punëtore që në fund i kompenson shteti, teknologjinë e amortizuar dhe dëmin ekologjik nga mosrespektimi i standardeve. Kjo është, për shembull, situata e përgjithshme në sektorin e nxjerrjes dhe shfrytëzimit të naftës, por gjendja është e ngjashme edhe në sektorë të tjerë strategjikë të privatizuar.

Krimi i organizuar në këmbim të financimit të fushatave zgjedhore dhe të blerjes së votave kërkon dy gjëra nga partitë që vijnë në pushtet: së pari, liri për të vepruar në territor pa u penguar nga organet e ruajtjes së rendit e të drejtësisë dhe, së dyti, pastrim të parave të veprimtarisë kriminale. Deri tani kemi parë se kërkesa e parë është plotësuar, jo vetëm me anë të shmangies së dënimit ose uljes së tij për kriminelët e kapur, por edhe me anë të vendosjes së njerëzve me precedentë penalë ose familjarë të kriminelëve në listat e deputetëve dhe të kandidatëve për kryetarë të bashkive. Paratë e grumbulluara në mënyrë të paligjshme nga krimi i organizuar në Shqipëri dhe ai ndërkombëtar po pastrohen në ndërtimet shumëkatëshe në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është vënë në vështirësi nga disa përgjime të krerëve të Ndranghetës italiane, por nuk ai nuk është i pari politikan e qeveritar shqiptar që përflitet se janë përfshirë në pastrime të parave të krimit. Sigurisht që ai ka kontribuar për gjerësinë dhe thellësinë e dukurisë, pasojë e së cilës ishte edhe shembja e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që të sigurohet më shumë sipërfaqe në qendër të Tiranës për ngritjen e kullave të tjera. Kullat marramendëse prej betoni funksionojnë si makina larëse të parave të krimit të organizuar. Sektori i ndërtimit në zona të caktuara urbane, tani për tani, duket si një mënyrë e sigurt për “depozitimin” e parave të trafiqeve të paligjshme që nuk mund t’i thithë sektori bankar, por suksesi i tanishëm i operacioneve të tilla është vetëshkatërrues. Rënia e fuqia blerëse dhe vëllimi i ulët i shkëmbimeve dhe shërbimeve të sipërmarrjeve do të bëjnë që ndërtesat e larta me apartamente dhe zyra të mos sjellin fitimet e projektuara.

Propaganda dhe mpirja e kujtesës kombëtare

Gjithsesi, rrjetet klienteliste dhe blerja e votave nuk garantojnë fitimin e zgjedhjeve. Prandaj dy krahët e politikës po synojnë të mbledhin të gjithë votat që mundin. Arsenalet mediatike të propagandës bombardojnë zgjedhësit përditë, duke synuar ngjalljen e ndjenjave të tërheqjes për njërën palë dhe të mërisë për palën tjetër. Premtimet zgjedhore gjithnjë kanë qenë të hiperbolizuara dhe nuk janë mbajtur tërësisht ndonjëherë, madje politikat shpeshherë kanë qenë në kundërshtim me premtimet. Efekti afatgjatë i krijuar tashmë te publiku i gjerë është mosbesimi i përgjithshëm: votuesi mesatar nuk i kushton rëndësi të madhe programit elektoral, sepse në fund të fundit është i ndërgjegjshëm se nuk ka në dorë mekanizma për ta detyruar partinë fituese që ta zbatojë pasi ajo ka ardhur në pushtet. Më të efektshme po duken taktika e denigrimit të kundërshtarit dhe ngjallja e nostalgjisë/urrejtjes për komunizmin, kjo e fundit një taktikë tashmë e sprovuar për të prodhuar elektoratin e “e majtë” dhe atë “të djathtë”. Kandidatët e rinj të dy blloqeve po i përdorin të dyja taktikat. Agron Gjekmarkaj, kandidat i Partisë Demokratike (PD) për Lezhën, deklaroi se do të bashkohej edhe me grekët kundër Ramës, sepse grekët nuk u kanë bërë asgjë çamëve po të krahasohet me atë që Rama po u bën shqiptarëve. Luljeta Bozo, kryesuesja e listës së Partisë Socialiste (PS) për Tiranën, në një intervistë tha se sistemi komunist ka pasur një bilanc pozitiv. Në të dyja rastet shohim tentativën për të mobilizuar votën për partinë, me koston e mpirjes së kujtesës kombëtare. Prej shprehjes së saj për sistemin komunist kuptohet pse Bozo është caktuar në majën e listës së partisë për Qarkun e Tiranës. Emri i saj garanton votuesin nostalgjikë se PS-ja vijon t’i ketë rrënjët te Partia e Punës. Shprehja e saj për komunizmin bëhet e mundur në një vend që ka pasur sistemin totalitar më jetëgjatë dhe më të rreptë në Europë, sepse gjatë tridhjetë vjetëve nuk pati përpjekje sistematike për të dënuar ligjërisht e moralisht përgjegjësit e atij sistemi. Përkundrazi, disa prej kriminelëve kryesorë janë shpallur qytetarë nderi aty ku kanë lindur. Ngjashëm, të thuash se grekët nuk u kanë bërë çamëve atë që Rama po u bën shqiptarëve, do të thotë të mos përpiqesh të ndjesh apo të përfytyrosh njerëzit e vrarë me thika, gratë e përdhunuara, foshnjat e hedhur në shkëmbinj e të tjera tmerre që pësuan çamët prej shovinistëve grekë. Po të ishte Shqipëria një vend normal, të dy kandidatët do të ishin përjashtuar menjëherë prej partive përkatëse. Fakti që asnjëra nga dy partitë kryesore nuk e ka bërë këtë, tregon se ato kanë nevojë për “idiotë të dobishëm”, që të thonë ato që kryetarët nuk i thonë dot hapur. Në rastin e PS-së duhet treguar që kupola e saj është e përbërë nga vijuesit biologjikë të sundimtarëve komunistë, kurse në PD duhej dhënë një justifikim për koalicionin laraman me figurat e vjetra të politikës, që janë të pakënaqur nga Rama, përfshirë grekun shovinist Dule dhe çamin Idrizi. Pandjeshmëria e udhëheqësve politikë ndaj vuajtjeve që ka hequr populli i tyre është tregues i pagabueshëm se ata janë të pandjeshëm për vuajtjet e tij sot dhe se ata i shkaktojnë vuajtje të reja kur vijnë në pushtet.

Sigurisht kush dëshiron mund të gjejë dallime midis PS-së në pushtet dhe PD-së, Lëvizjes Socialiste për Integrim e partive të tjera të lidhura me to, që së bashku synojnë të marrin pushtetin. Rama nuk ka se çfarë suksesi të tregojë për qeverisjen e tetë viteve të fundit, prandaj ai veç thotë se kundërshtarët i ka më të zinj se vetja (Berisha, Meta) ose më të paaftë se vetja (Basha, Kryemadhi). Një fitore e tretë e PS-së nuk do të sjellë asgjë të mirë, por vetëm do ta përkeqësojë qeverisjen e Shqipërisë, në çdo aspekt. Meqenëse përkufizimi minimalist i demokracisë është zëvendësimi pa dhunë i pushtetit, në rast të revoltuarit me të drejtë nga qeverisja e papërgjegjshme, kriminale, kundërshqiptare dhe barbare e Ramës (kujto lidhjet me eksponentë të krimit, shembjen e Teatrit Kombëtar, pjesëmarrjen në planet për ndarjen e Kosovës, mosveprimet për mbrojtjen e hapësirës sovrane detare, “minishengenin ballkanik”, traun në Rrugën e Kombit, dorëzimin faktik të ekonomisë në duart e oligarkëve etj.) janë shumica e zgjedhësve ata që do të sjellin rotacionin politik më 25 prill, por gjithsesi pak gjëra do të ndryshojnë, sepse sistemi aktual politik e modeli ekonomik do të qëndrojnë të paprekur.

Ardhja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!                  

Po flitet për ardhjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nisur nga pjesëmarrja në këto zgjedhje të tre kandidatëve të pavarur që mbështeten nga Qendra e Lëvizjes në Shqipëri. “Ardhja” i referohet edhe vizitës së Albin Kurtit, kryeministrit në ardhje të Kosovës, në fillim të marsit në tri qytete, përkatësisht në Lezhë për të përkujtuar Besëlidhjen e vitit 1444 dhe për të shprehur mbështetje për kandidatin Iliaz Shehu, në Tiranë për të mbështetur Boiken Abazin dhe në Gjirokastër për të përkrahur kandidaturën e arkitektit Kreshnik Merxhani. Lëvizja VETËVENDOSJE!, që nga themelimi i saj, ka qenë e pranishme në Republikën e Shqipërisë me veprimtari dhe rrjete të aktivistëve, prandaj përdorimi i fjalës “ardhje” duket sikur e largon Lëvizjen, sikur ajo të mos i përkiste popullit të këtij shteti, ngaqë është transplantim i Lëvizjes së Kosovës. Të paktën kështu e kanë paraqitur analistët e oborrit të Ramës, që kandidimin e tre aktivistëve të Lëvizjes e shohin si një ndërhyrje të Albin Kurtit në fushën politike të Shqipërisë dhe si një lëvizje të tij kundër Ramës. Mirëpo, “ardhja” mund t’i referohet edhe nisjes së një projekti të ri politik dhe ky është pikërisht synimi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri. Nëse Lëvizja VETËVENDOSJE! në Republikën e Kosovës synon një model të ri të qeverisjes, aktivistët që kandidojnë për t’u zgjedhur deputetë në Kuvendin e Shqipërisë po synojnë që të ndërtojnë një opozitë të vendosur, siç ka qenë deri tani Lëvizja në Kuvendin e Kosovës. Ata do të ngrenë në Kuvendin e Shqipërisë dhe para publikut çështje për të cilat partitë e tjera parapëlqejnë të bëjnë pazare të fshehta. Ata nuk do të mbyllin sytë ndaj shkeljes së ligjit dhe do të denoncojnë korrupsionin e politikanëve me pushtet dhe të atyre që dikur kanë pasur pushtet.

Sistemi politik dhe ai ekonomik, modelet e marrëdhënieve shoqërore nuk ndryshojnë dot menjëherë me një votim në zgjedhjet parlamentare. Jemi të vetëdijshëm për këtë. Ndryshimi i vërtetë pozitiv është kur votuesit ngrenë nivelin e tyre të ndërgjegjësimit politik dhe marrin përsipër më shumë përgjegjësi në raport me kontrollin ndaj atyre që ua japin votën. Në Republikën e Kosovës rritja çdoherë e numrit të deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka ardhur dorë për dore me pranimin e vizionit të saj prej qytetarëve. Ne e dimë se edhe në Republikën e Shqipërisë partitë e sistemit kanë rrënjë të thella dhe se shumë qytetarët kanë krijuar marrëdhënie klienteliste me to, marrëdhënie që e kanë ngushtuar horizontin e këtyre qytetarëve mbi atë se çfarë është politikja dhe se cilat politika janë të dobishme për kombin, shtetin e mirëqenien e tyre e të fëmijëve të tyre. Kandidatët e pavarur që Lëvizja mbështet në zgjedhjet e datës 25 prill, në radhë të parë, synojnë votën e qytetarëve idealistë, sidomos të atyre që nuk janë kapur prej këtyre rrjeteve klienteliste dhe që interesohen për publiken shqiptare e bashkimin politik të kombit tonë. Sido që të jetë rezultati që kandidatët do të arrijnë në zgjedhje, votuesit dhe simpatizantët tanë i ftojmë të përfshihen në organizimin politik që Lëvizja do të ndërmarrë nëpër të gjithë Shqipërinë, në këtë mënyrë duke u bërë pjesë e agimit të ri kombëtar, që tashmë ka mbërritur në Kosovë.

+ posts