UDHËKRYQI GJEOPOLITIK MAQEDONAS DHE SHQIPTARËT

Shpërndaje në

Arbër ZAIMI

Republika e Maqedonisë së Veriut, gjeografikisht, është një udhëkryq i Ballkanit. Nëse do të konsideronim projektet moderne infrastrukturore të planifikuara në kontinentin europian, në RMV, në Shkup ose Kumanovë do të duhej të kryqëzoheshin dy nga korridoret e mëdha pan-europiane: Korridori 8 (Brindisi – Durrës – Varna), dhe Korridori 10 (Selanik – Beograd). Jo më kot i kushtohet shumë rëndësi stabilitetit politik të RMV-së nga faktorë të rëndësishëm perëndimorë, ashtu siç ka vazhdimisht edhe përpjekje për destabilizim ose sfidim të hegjemonisë perëndimore nga faktorë të tjerë.

Sigurisht, një pozitë e tillë gjeografike, shoqëruar edhe me historinë e demografinë e RMV-së, ka bërë që ky vend në vazhdimësi të jetë i synuar edhe prej fqinjëve të vet, madje duke qenë shpesh edhe një nga mollët e sherrit a plaçkat e luftës, siç ndodhi në luftërat ballkanike në shek. XX. Ky agresivitet i shprehur, jo rrallë, gjen kundërpërgjigje në zhvillimin e një farë nacionalizmi vendas, po e quajmë nacionalizëm sllavo-maqedonas, i cili (si shumë nacionalizma të tjerë ballkanikë) parapëlqen të pozojë si viktimë duke thënë «Maqedonia kërcënohet nga të katërta anët». Mirëpo, ky pohim nuk është i vërtetë ose është vetëm pjesërisht i vërtetë.

Maqedonia e Veriut dhe fqinjët

Njihet konflikti historik dhe aktual i RMV me Greqinë, e cila ka përzënë prej territoreve rreth Selanikut dhjetëra mijëra sllavo-maqedonas në fillim të shek. XX (është interesante të lexohet rreth kësaj çështjeje jetëshkrimi i shkrimtarit shqiptar me prejardhje etnike maqedone, Sterjo Spasse, shkruar nga i biri Ilinden Spasse, që përshkruan aleancat bullgaro-shqiptare për çlirimin prej Perandorisë Osmane e, njëherazi, mbrojtjen prej agresionit grek në zonat rreth Kosturit, Follorinës e Prespave, por edhe në zonën e Korçës etj.) Ky konflikt u zgjat deri në kohët moderne, me një shpërfaqje simbolike që ishte kontestimi i emrit të RMV-së, duke u kapur te ideja grekomadhe, kinse grekët e sotëm e kanë ekskluzivitetin e trashëgimit dhe përdorimit të emrit Maqedoni.

Po ashtu, dihet pretendimi bullgar për unitetin etnik mes sllavëve maqedonas e atyre bullgarë, bazuar në pretendimin se flasin dialekte të së njëjtës gjuhë. Ky pretendim, parë nga një aspekt prej gjuhëtari, mund të jetë i saktë, mirëpo gjuha e njëjtë jodoemos e bën kombin e njëjtë – siç dëshmojnë konfliktet mes serbëve dhe kroatëve për shembull. Pra, bashkësia e quajtur komb nuk ndjehet e nuk përkufizohet njëjtë ose me të njëjtat standarde kudo në botë. Secili komb i ka veçoritë e të përbashkëtat e veta dhe ajo çfarë i bën komb peruanët nuk i bën komb tajlandezët e kështu me radhë. Bullgaria i mbështet pretendimet e veta edhe në historinë e përbashkët dhe po, është e vërtetë se revolucionarët sllavë maqedonas, që luftuan për pavarësimin e vendit prej Perandorisë Osmane (ky pavarësim shënon zgjimin kombëtar në vendet e Ballkanit) e quanin veten bullgarë, edhe pse jo të gjithë. Po ashtu është e vërtetë që Bullgaria mesjetare për shekuj me radhë e ka pasur kryeqendrën në Maqedoninë e sotme Veriore, por as kjo nuk do të thotë gjë automatikisht, sepse hera-herës perandoria mesjetare Bullgare e ka pasur kryeqendrën edhe në Shqipëri të jugut. Dihet që Kutmiçevica ka qenë rajon administrativ me rëndësi për atë shtet dhe korrespondon sot me Toskërinë. Në Mallakastrën e sotme, në vitin 865, Borisi i bullgarëve e pranoi Krishterimin për vete e për popullin e vet, por kjo nuk e bën mallakastriotin bullgar, e as toskën. Dominimi administrativ para më se një mijë vitesh nuk e përcakton identitetin e sotëm kombëtar. Megjithatë, ka një numër substancial sllavësh maqedonas, që ndihen pjesë e kombit bullgar, dhe Bullgaria sot e mirëmban këtë pjesë të projektit të saj kombëtar, duke dhënë pasaporta (europiane) bullgare për shumë shtetas të RMV-së, por edhe për anëtarët e minoriteteve bullgarofone në Shqipëri. Së fundi, projekti kombëtar bullgar i ka shpërfaqur pak më dukshëm se zakonisht pretendimet e veta, duke vënë një veto europiane sa i përket avancimit të RMV në negociatat për integrim europian. Bullgarët kërkojnë që sllavët e Maqedonisë të pranojnë se gjuha e historia e tyre është bullgare, nëse duan që kjo veto të hiqet.

Njashtu edhe fqinjët veriorë, serbët, kanë pretendime të kahershme e aktuale. Të angazhuar qysh në fund të shek. XIX, ata u përpoqën që një pjesë të komitëve bullgarë, që luftonin për pavarësi prej P. Osmane, ta rekrutonin në lëvizjen paralele serbe, atë të çetnikëve. Dhe, me disa figura ia kanë dalë (edhe pse masivisht sllavët e zonës asokohe kishin identitet bullgar, pati syresh që iu bashkëngjitën projektit e identitetit serb). Me kahjen që morën luftërat ballkanike, ku serbët dolën fitues, Bullgaria u zbyth nga ai territor, të cilin Serbia e mori dhe e quajti «Serbi e Vjetër». Menjëherë pastaj nisi projekti për inxhiniering etnik, i cili filloi prej aparatit pararojë të serbifikimit, kishave e shkollave. Duke shtrirë në territorin e Maqedonisë së sotme Veriore kishën ortodokse serbe dhe klerin e saj, Serbia sigurohej për një kontroll të qëndrueshëm mbi popullsinë, sepse siç dihet, qeveritë shkojnë e vijnë, mirëpo pushteti që e ushtron religjioni është më afatgjatë e më i thellë, sidomos kur ai religjion është i lidhur ngushtë me një projekt shtetëror. Por, me Luftën e Dytë Botërore gjërat ndryshuan.

Ekuilibristi i sprovuar jugosllav, Josip Brozi, të cilit nuk i duhej një Serbi shumë e madhe brenda Jugosllavisë, e ndërpreu procesin e serbifikimit, duke themeluar një republikë maqedone e një komb maqedon, brenda federatës. Ky komb maqedon e ruante gjuhën e vet bullgare (me një standard paksa të ndryshëm) e kishën e vet (tashmë serbe), por aparati i ri hegjemonizues kishte emrin e vet: maqedonizimi. Maqedonizimi, siç kuptohet, u zhvillua me përpjekjen për t´u distancuar nga më i ngjashmi i vet, pra nga bullgari, e njëkohësisht duke asimiluar minoritetet ortodokse (shqiptarët ortodoksë, vllahët e ata pak grekë e etnikë) ose duke i tjetërsuar ata, sidomos duke e shndërruar si tjetrin më të rrezikshëm shqiptarin, për shkak të kompaktësisë territoriale dhe kërcënimit demografik që këta përbënin.

Maqedonia e Veriut dhe shqiptarët

Në fakt, shqiptarët në Maqedoninë e sotme Veriore kanë qenë gjithnjë aq shumë, sa vështirë se mund t´u shkojë termi minoritet. Në një hark që fillon prej Kumanovës e deri në Prespë, duke përfshirë brenda qytete të rëndësishme, si Shkupi, Tetova, Dibra, Kërçova, Gostivari, Struga, Ohri, Manastiri etj., shqiptarët ishin (e në shumë vende ende janë) popullsi dominuese. Mirëpo, teza se Maqedonia rrezikohet nga të katërta anët, nuk del e vërtetë. Gjatë gjithë ekzistencës së saj si shtet, Shqipëria nuk ka paraqitur agresivitet ose pengesa ndaj Maqedonisë Veriore, edhe pse duke parë situatën demografike e të drejtën historike të shqiptarëve mbi trojet e veta të kahmotshme, në RMV ka plot leva edhe për Shqipërinë. Madje, po të shihet diskriminimi i vazhdueshëm ekonomik, infrastrukturor, madje ndonjëherë edhe racist e kulturalist i sllavëve maqedonas ndaj shqiptarëve, të jepet të mendosh se Shqipëria është fajtore që nuk ndërhyn, sepse është shumë më e legjitimuar se tre shtetet e tjera për «të futur duart» në Maqedoni. Megjithatë, Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e saj herë parimor, herë pasiv e herë impotent, dhe më së shumti ka qenë spektatore, edhe pse për shqiptarët e RMV-së ende nuk është përmbushur as Marrëveshja Kornizë e Ohrit, një zotim që shteti maqedonas duhet ta kishte përmbushur më se një dekadë më parë. Pra, nuk bën të pranohet se Maqedonia qenka e kërcënuar nga të katërta anët. Faktet flasin se Shqipëria kurrë nuk ka qenë kërcënim.

Shqipëria dhe shqiptarët do të ishte mirë të mos përziheshin fort e të mos jepnin fort mend se a duhet të ndihen bullgarë apo maqedonas sllavët e Maqedonisë. Jo për gjë, por në kushtet e tjetërsimit e armiqësimit të tyre me shqiptarët (që i shohin si tjetri i brendshëm), çdo version që do mbështesnin shqiptarët, do të rezultonte në forcim të versionit tjetër si kundërpërgjigje. Fundja, as nuk u takon shqiptarëve të kenë mendim mbi identitetin kombëtar të një kombi tjetër. Çfarë do të duhej të bënin Shqipëria e shqiptarët, do të ishte të propozonin e të shtynin përpara projekte që e integrojnë Shqipërinë me Maqedoninë Veriore në sferat e infrastrukturës, ekonomisë e sigurisë, gjë që do ishte në të mirë të dy shteteve, por edhe të shqiptarëve si komunitet i madh në RMV. Tema që do të duhej t´u interesonte sa më shumë shqiptarëve është pikërisht udhëkryqi strategjik, që u përmend në fillim të shkrimit, mes korridoreve 8 edhe 10. Në radhë të parë, duhet kuptuar se këto korridore nuk janë përplotësuese, por konkurrente e balancuese.

Ndërmjet dy korridoreve

Korridori 8, i cili lidh Durrësin me Shkupin, Sofjen e Varnën, ka qenë një plan që mori shumë bujë në fillim të viteve 2000. Por, sot është harruar. Energjitë më të mëdha sot janë te projekti i Korridorit 10, i cili lidh Selanikun me Shkupin e me Beogradin, korridor i cili, përveçse me autostradë e me hekurudhë, mëton të bëhet edhe i lundrueshëm, nëse arrijnë të realizohen projektet kineze, që duan ta lidhin Vardarin me Moravën, pra Egjeun me Danubin në Beograd. Korridori 10, i cili natyrisht lidhet edhe me infrastrukturë të energjisë, gazit e naftës, por edhe me vektorë gjeopolitikë të sigurisë, është një zhvillim modern i aksit të vjetër Athinë-Beograd, një aks i cili për arsye të ndryshme edhe historike, por edhe aktuale, ka interes të madh edhe për Rusinë e Kinën. Vetë Selaniku, që është porti jugor i këtij korridori, po promovohet këto muaj nga Kina si «dera kineze e Europës», ndërsa dihen afërsitë e Serbisë me projektin moskovit të Euro-Azisë.

Si ka mundësi që Korridori 8 u la në harresë, ndërsa Korridori 10 po thith investime dhe interes? Qoftë edhe vetë shifra e këtyre projekteve të lë të kuptosh se europianët, kur i kanë projektuar në fund të viteve ´90-ta, më së pari kanë menduar për Korridorin 8 se sa për atë 10. Por, ja që 10 po ndodh para 8. Këtu shqiptarët duhet të shikojnë me sy kritik sidomos politikën e Tiranës. Korrupsioni e dritëshkurtësia e qeverive tiranase jo vetëm që e kanë pamundësuar mbështetjet financiare dhe e kanë zvarritur, vonuar e harruar këtë korridor, por së fundmi kanë bërë edhe gafën më të madhe: përmes projektit qesharak të quajtur «Minishengen Ballkanik» kanë pranuar që edhe Durrësi të jetë një degëzim i Korridorit 10, një rremb i linjës me të cilën Kina e Rusia i përqasen Europës. Sigurisht, Korridori 8 ka pasur shumë armiq gjeopolitikë, ndër të cilët edhe më të interesuarit, vetë Greqia e Serbia. Për ta konkurruar Korridorin 8 e për ta bërë atë të panevojshëm, Greqia në fillim të viteve 2000 nisi me urgjencë projektin e quajtur «Rruga Egnatia», një paralele lindje-perëndim, e cila niset nga Traka e Greqisë dhe shkon deri në detin Jon, në Igumenicë. Pra, nuk paska qenë aq pa leverdi ai Korridori 8, përderisa e detyroi Greqinë të investojë në një vepër kaq të madhe infrastrukturore. Sot, me ndryshimet e mëdha gjeopolitike dhe me rritjen e vetëdijes së SHBA-së, të udhëhequr nga presidenti Biden, ndaj rreziqeve që vijnë prej Kinës e Rusisë, gjasat janë që një projekt konkurrent ndaj Korridorit 10 në Ballkan të marrë sërish vëmendje e mbështetje. Por, a do të jetë Tirana mjaftueshëm serioze sa që të kuptojë se lidhja e saj me Sofjen, pra me një vend të Bashkimit Europian dhe të NATO-s, është më e rëndësishme se lidhja me Beogradin, që nuk është as në BE e as në NATO? Kjo mbetet për t´u parë.

Në radhë të dytë, po e përmend shkurt në fund, edhe pse kjo çështje është me rëndësi prioritare, politika shqiptare (në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni) duhet të kujdeset shumë dhe specifikisht për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre etnike pranë atij kryqëzimi strategjik, pra në Kumanovë e rrethina, si dhe në Preshevë e Bujanoc. Rëndësia strategjike e atij kryqëzimi është e tillë, që faktorë të ndryshëm gjeopolitikë do të dëshironin që ato zona të mos ishin të banuara nga shqiptarët. Varfërimi ekonomik i atyre viseve është varfërim strategjik, për të nxitur braktisjen e vendit. Por, edhe planet e dyshimta për destabilizim nuk kanë munguar. Megjithatë, duhet të jetë vazhdimisht interes i shteteve shqiptare dhe i aleatëve të tyre, që shqiptarët të mos shpërngulen prej atje.

https://shenja.tv/udhekryqi-gjeopolitik-maqedonas-dhe-shqiptaret/
+ posts